Rasti Banjska, Koci: Ka prova të shumta, kërkojmë burgim të përjetshëm për të akuzuarit
Foto: Laura Hasani

Rasti Banjska, Koci: Ka prova të shumta, kërkojmë burgim të përjetshëm për të akuzuarit

Aktuale January 16, 2026 - 18:57

Përfaqësuesi i familjes së zyrtarit policor të vrarë, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, avokati Arianit Koci, ka deklaruar se do të kërkojnë burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Koci tha se mbrojtja e të akuzuarve po tenton ta relativizojë të gjithë sulmin terrorist.

“Procedura është dashur të kthehet nga fillimi, gjë që është shumë e keqe për atë që ka ndodhur. Kryetari i mëparshëm i trupit gjykues ka kaluar në një pozitë më të lartë dhe është dashur të ndërrohet trupi gjykues. Megjithatë, e kam mirëpritur disponimin pozitiv të kryetarit aktual, i cili ka pranuar të udhëheqë trupin gjykues për ta mbajtur dinamikën e gjykimit. Gjykimi duhet të zhvillohet edhe brenda një kohe të arsyeshme dhe, si përfaqësues i familjes Bunjaku dhe palëve të dëmtuara, insistoj që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Në të njëjtën kohë, nuk duhet t’u lihet hapësirë të akuzuarve që, përmes zvarritjes së procedurës, të pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre”, u shpreh Koci.

Ai shtoi se këtë të premte, ditën kur edhe ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve, avokatja e njërit prej tyre ka tentuar të krijojë alibi.

“Sot mbrojtja po tenton, përmes disa propozimeve, ta relativizojë të gjithë këtë sulm terrorist. Avokatja e njërit prej të akuzuarve ka propozuar nëntë dëshmitarë të rinj, kinse për të gjetur alibi se i akuzuari nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, por diku tjetër. Pra, personi që akuzohet nga Gjykata për kryerjen e sulmit terrorist bashkë me të tjerët po tenton të sigurojë alibi. Aktakuza është shumë e qartë – askush nuk është i akuzuar vetëm mbi një provë, por mbi shumë prova që i ngarkojnë për veprën. Ne e kemi parë ngjarjen edhe përmes pamjeve nga dronët dhe gjithçka ka qenë e qartë”, tha Koci.

Në fund, Koci theksoi se familja Bunjaku kërkon që rasti të përfundojë sa më shpejt dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, për çka ai ritheksoi se do të kërkojnë dënim me burgim të përjetshëm. /rtvdukagjini