Tetë vjet nga vdekja e veprimtarit Jonuz Musliu
Foto: Laura Hasani

Tetë vjet nga vdekja e veprimtarit Jonuz Musliu

Aktuale January 18, 2026 - 08:48

Sot shënohet tetëvjetori i ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu, një emër i lidhur ngushtë me historinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe përpjekjeve të tyre për barazi.

I lindur më 1959, Musliu u rrit me idealin e lirisë. Ai ishte i përndjekur dhe i burgosur politik, derisa më pas udhëhoqi Këshillin Politik të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB), duke u bërë zë i vendosur i shqiptarëve në kohë të vështira.

Pas përfundimit të luftës në Luginë në vitin 2001, me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u angazhua në jetën politike atje.

Si kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit për disa mandate dhe i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, ai mbeti gjithmonë i përkushtuar ndaj interesit kombëtar.

Ai dha kontribut të çmuar edhe në radhët e UÇK-së, TMK-së dhe UÇPMB-së.

Jonuz Musliu u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare, derisa kujtohet si simbol i qëndresës dhe i përkushtimit për kauzën kombëtare. /rtk