Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë të votave
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku kërkon rinumërim të plotë të votave

Aktuale January 18, 2026 - 20:07

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar veprime nga institucionet lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.
Ai ka thënë se përgjegjësit duhet të ndëshkohen sipas ligjit.

Abdixhiku në profilin e tij në Facebook ka thënë se për të hequr të gjitha dyshimet duhet të ketë rinumërim të plotë në tërë vendin.

“Ndërkohë, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim. Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, ka shkruar ai.

Ai ka folur edhe për manipulimet e votave brenda subjektit të LDK-së, ku disa politikanëve të rinj u tjetërsaun votat.

Abdixhiku ka thënë se kjo është bërë për të ndalë reformën e nisur.

“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja.Mbi të gjitha, goditet reforma! Kjo që po ndodh në disa qytete, nuk është rastësi. Është rezistencë e atyre që e kanë gërryer shtëpinë tonë nga brenda dhe sot duan ta ndalin reformën që nuk e durojnë dot. Sulmi ndaj emrave të rinj e të pastër është sulm ndaj punës tonë pesë vjeçare dhe ndaj vullnetit të mbështetësve që është shprehur qartë me votë të lirë. Prandaj, pasoja do të ketë”, ka shkruar ai.