Abdixhiku në akademinë përkujtimore për Rugovën: Ai s’e kërkoi kurrë rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit
Në 20-vjetorin e vdekjes, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur akademi përkujtimore për ish-presidentin Ibrahim Rugova, nga ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se fjalët për të folur për të mungojnë fjalët, por thekson se Rugova nuk është njeri i momenti, por i kohës së gjatë.

“Rugovën nuk mund ta përshkruajmë si një figurë për fotografi, por si mendim që duhet kuptuar. Dhe Rugova nuk është i lehtë për t’u kuptuar me fjali të shkurtra e besa as edhe të bukura. Ai nuk është slogan. Nuk është britmë. Nuk është as figurë e shpejtë për duartrokitje. Ai është proces. Është rrugë e gjatë. Është durim që nuk dorëzohet. Prandaj, ky fjalim nuk do të jetë për ta madhështuar me fjalë të mëdha njeriun që nuk ka nevojë për madhështime. Do të jetë për ta kuptuar me mendje të qetë. Sepse Rugova nuk kërkon zë të lartë. Kërkon mendim të thellë. Njëzet vjet pa të na e kanë bërë të qartë një gjë: ai nuk ishte njeri i momentit, por i kohës së gjatë. Dhe njerëzit e kohës së gjatë nuk përshkruhen lehtë. Ata nuk maten me ngjarje të vetme, por me drejtimin që ia ndryshojnë historisë. Prandaj, sot nuk jemi këtu për të numëruar përvjetorë e vite. Jemi këtu për të pyetur veten: çfarë bëri ai me ne; dhe çfarë po bëjmë ne me atë që na la?”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh se Rugova asnjëherë nuk kërkoi rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit.
“Ka njerëz që e pushtojnë kohën me zhurmë. Ka të tjerë që e ndërtojnë kohën me qetësi. Rugova ishte i dyti. Ai nuk e kërkoi kurrë rolin e heroit, por historia ia dha rolin e themeluesit. Nuk e kërkoi skenën, por skena u detyrua ta pranojë. Nuk kërkoi pushtetin për vete, por e ndërtoi pushtetin për një popull që kishte mbetur pa shtet. Të gjitha këto tipare nuk i erdhën si mësime të jetës politike, siç mund ti vijnë secilit politikan të kohës moderne sot. Ato i erdhën si mësime jetësore shumë para se politika të ishte në diapazon të yjeve të tij. Rugova si i ri nuk u formua në rehati. U formua në mungesë. Në humbje. Në padrejtësi që të mëson herët se jeta nuk është e butë dhe se njeriu duhet të zgjedhë se si do t’i përgjigjet asaj”, tha ai.

Më tej ai ka bërë përshkrimin e figurës së Rugovës duke thënë se nuk hyri në politikë për pushtet.
“Ai nuk hyri në politikë për pushtet, por sepse kultura pa liri mbetet e pambrojtur. E kuptoi se fjala ka nevojë për shtëpi, dhe ajo shtëpi quhet shtet. Prandaj, kur themeloi lëvizjen politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai nuk braktisi intelektualin brenda vetes. E mori me vete. Kjo është arsyeja pse politika e tij nuk ishte politike e instinktit, por e mendimit. Nuk ishte e ndërtuar mbi thirrje të çastit, por mbi ide afatgjata. Ai e solli në politikë disiplinën e studiuesit: durimin për të analizuar, qetësinë për të peshuar, përgjegjësinë për të mos folur kot. Prandaj kalimi i tij nga letërsia në politikë nuk ishte kapërcim, por zgjerim. Nga fjala te shteti. Nga ideja te institucioni. Nga kultura te politika. Dhe në të gjitha këto, ai mbeti i njëjti: njeri që beson se pa mendim të thellë, nuk ka veprim të drejtë. Pra, Rugova nuk e la jetën e intelektualit sepse u lodh prej saj. E la sepse ajo nuk mjaftonte më për ta mbrojtur jetën e popullit të vet. Në të vërtetë, ai nuk e la intelektualin pas; e vuri në shërbim. E kuptoi se në një kohë normale do të kishte vazhduar të ishte studiues, kritik, mendimtar. Por koha nuk ishte normale”, nënvizoi mes tjerash ai.
