Sveçla i lumtur për donacionin e SHBA-së në Merdar: Siguria në kufi do rritet ndjeshëm
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhela Sveçla është shprehur i lumtur për inaugurimin e skanerit “Rapiscan” në pikën kufitare të Merdarit, donacion ky i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij, Sveçla tha se ky donacion është dëshmi konkrete e partneritetit të fuqishëm dhe të qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Rritja e sigurisë mbetet një nga prioritetet kyçe të institucioneve të Republikës sonë, në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit, mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve. Siguria e kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare dhe të funksionimit të plotë të shtetit ligjor”, tha ai.
Sveçla shtoi se kapacitetet e reja si ky skaner në fushën e sigurisë kufitare rrisin ndjeshëm aftësinë e institucioneve për parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin efektiv të kërcënimeve ndërkufitare.
Sipas tij, ato mundësojnë kontroll më të avancuar dhe më të besueshëm të kufirit, reagim më të shpejtë në situata të ndjeshme dhe ndërhyrje të koordinuar, në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë.
“Kjo mbështetje për institucionet tona do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e luftës kundër veprimtarive të paligjshme si kontrabanda me armë, mallra, narkotikë dhe qenie njerëzore, që cenojnë sigurinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, duke kontribuar njëkohësisht edhe në rritjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë”, tha Sveçla.

Falë këtyre kapaciteteve të reja, Sveçla tha se siguria e kufirit do të ngrihet në një nivel më të lartë, duke garantuar një qarkullim më të sigurt dhe më të shpejt të mallrave, si dhe një menaxhim më efikas, profesional dhe të qëndrueshëm të kufirit të Kosovës.
Krejt në fund, ai u shpreh falënderues si ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe ndaj zyrtarëve doganorë e kufitar të Kosovës.