Specialja e pranon, “Xhevdet Doda” e mohon – A iu mbajtën nxënësve ligjërata nga zyrtarë të gjykatës?

Specialja e pranon, “Xhevdet Doda” e mohon – A iu mbajtën nxënësve ligjërata nga zyrtarë të gjykatës?

Aktuale January 22, 2026 - 17:44

Gjatë ditës së sotme, u raportua se Gjykata Speciale ka zhvilluar ligjërata me nxënës të gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Ky aktivitet u konfirmua për “Nacionalen” nga vetë gjykata.

“Po, ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje.

“Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet më tutje.

Megjithatë, në kundërshtim Gjykatës Speciale i ka dalë gjimnazi “Xhevdet Doda”, ku përmes një reagimi publik ka theksuar se këto ligjërata nuk janë mbajtur nga zyrtarë të Speciales.

Më poshtë gjeni reagimin e “Xhevdet Dodës”:

Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë.

Ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.

Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ. Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative.

Çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar.

Theksojmë se kjo organizatë ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.

Për informacione shtesë, palët e interesuara mund të kontaktojnë drejtpërdrejt organizatën në fjalë.

Drejtoria Komunale e Arsimit nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtjen e ligjëratave të tilla, dhe pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës – KDSH.

Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik.

Image