Opozitarja bjelloruse merr Kosovën si shembull të lirisë dhe prosperitetit: Rrugëtim i jashtëzakonshëm

Opozitarja bjelloruse merr Kosovën si shembull të lirisë dhe prosperitetit: Rrugëtim i jashtëzakonshëm

Aktuale January 23, 2026 - 09:02

Sviatlana Tsikhanouskaya, opozitarja bjelloruse që vepron nga jashtë vendit, e ka marrë Kosovën si shembull të lirisë dhe prosperitetit.

Ajo ka bërë të ditur se ka takuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror.

Në një postim në Twitter, Tsikhanouskaya ka vlerësuar rrugëtimin e Kosovës dhe mbështetjen e saj për popullin bjellorus.

“Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Kosovës tregon se si guximi, qëndrueshmëria dhe solidariteti ndërkombëtar mund të çojnë drejt lirisë dhe prosperitetit. Ne e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për popullin e Bjellorusisë”, ka shkruar ajo.

Tsikhanouskaya është figura kryesore e opozitës bjelloruse dhe udhëheqësja simbolike e rezistencës kundër regjimit të Aleksandër Lukashenkos. Ajo u bë e njohur gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, pasi bashkëshorti i saj, Siarhei Tsikhanouski, u arrestua dhe iu ndalua kandidimi.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet e asaj kohe u manipuluan në favor të Lukashenkos, çka u pasua me protesta të mëdha në mbarë Bjellorusinë. Pas zhvillimeve, Tsikhanouskaya u detyrua të largohej nga vendi dhe që atëherë vepron si opozitare në arenën ndërkombëtare.

Ndryshe, Bjellorusia nuk e njeh shtetin e Kosovës.