Osmani takohet me presidentin e Singaporit në Davos, ia kërkon heqjen e vizave për kosovarët
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Singaporit dje në margjinat e Forumit Ekonomik në Davos.
Ajo tha se atij i ka propozuar që Singapori t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa shtoi se me të ka folur edhe për bashkëpunim ekonomik.
“Pas takimit tonë të parë në Singapor, dje në Davos pata kënaqësinë të takoja sërish Presidentin e Singaporit, Tharman Shanmugaratnam. Diskutuam marrëdhëniet tona të shkëlqyera ndërshtetërore, mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare. Pas liberalizimit të vizave për qytetarët tanë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare, propozova që hapi i radhës të jetë liberalizimi i plotë i vizave për të gjithë qytetarët tanë, një hap që do të forconte edhe më tej bashkëpunimin mes dy shteteve dhe do të afronte më shumë popujt tanë”, ka shkruar Osmani.
Ajo tha se gjithashtu kanë diskutuar për organizimin e forumit të përbashkët ekonomik, dhe rëndësinë e hapjes së kapitujve të ri të bashkëpunimit midis dy shteteve tona në fusha të shumta të interesit të dyanshëm.