Kosova në Bordin e Paqes, Osmani: Besoj në udhëheqjen e presidentit Trump për të sjellë paqe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova e mbështet fuqishëm nismën e Bordit të Paqes, duke theksuar se përvoja e vendit në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes mund të shërbejë si shembull për botën.
Deklarata e Osmanit u bë para mediave ndërkombëtare pas nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes, në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe bashkëthemeluesve të tjerë të kësaj nisme.
Osmani theksoi se Kosova vjen nga një përvojë e dhimbshme lufte dhe se paqja që sot gëzon vendi është rezultat i mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së.
“Duke ardhur nga Republika e Kosovës, një vend i shkatërruar nga lufta, dhe që sot jeton në paqe falë udhëheqjes amerikane, jemi thellësisht mirënjohës dhe krenarë që qëndrojmë krah Presidentit Trump në këtë nismë të re,” tha Osmani.
Ajo potencoi se beson fuqishëm në udhëheqjen amerikane dhe në qëllimin e Bordit të Paqes për të arritur rezultate konkrete. “Besoj fuqishëm në lidershipin e presidentit Trump dhe ekipit të tij. Kjo është për të shpëtuar jetë”, tha Osmani, duke shtuar se gjenerata e saj është rritur si “fëmijë lufte”.
Presidentja e Kosovës deklaroi se Kosova ka mbi 20 vjet përvojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe në proceset e ndërtimit të shtetit.
“Kosova është një nga ato shembujt ndriçues që mund të ofrojë praktikat më të mira për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes,” tha ajo.
Duke folur për rolin e organizatave ndërkombëtare, Osmani theksoi se procedurat komplekse të vendimmarrjes në Kombet e Bashkuara e kanë bërë të vështirë arritjen e paqes, ndërsa Bordi i Paqes synon një qasje më të drejtpërdrejtë.
“Me këtë organizatë të re, jam e bindur se paqja mund të çojë përpara përmes një procesi vendimmarrjeje më pak kompleks,” tha Osmani. Ajo sqaroi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë OKB-në, por të punojë së bashku me të.
“Në rajonin tonë, OKB-ja ka pasur rol kryesisht në ruajtjen e paqes, ndërsa kur ishte fjala për arritjen e paqes, udhëheqja erdhi nga Shtetet e Bashkuara,” deklaroi presidentja.
Vjosa Osmani potencoi se Kosova sot është një vend i sigurt dhe se përvoja e saj mund të kontribuojë në përpjekjet globale për paqe. “Sipas organizatave ndërkombëtare, Kosova është një nga vendet më të sigurta në botë,” tha ajo, duke shtuar se “jeta e njerëzve është në qendër të kësaj nisme”.