Hoti synon ta drejtojë LDK-në, kërkon besimin e strukturave të partisë
Foto: Laura Hasani

Hoti synon ta drejtojë LDK-në, kërkon besimin e strukturave të partisë

Aktuale January 25, 2026 - 10:07
Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Avdullah Hoti ka njoftuar se do të kërkojë besimin e anëtarëve të LDK-së për të marrë drejtimin e partisë në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026, pas dorëheqjes së kryetarit Abdixhiku.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës", ka shkruar Hoti.

Ai falënderoi strukturat drejtuese për punën e tyre gjatë pesë viteve të fundit.

“Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë", u shpreh ai.

Hoti gjithashtu premtoi një lidership gjithëpërfshirës dhe të drejtë.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim; ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon; dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës", ka shkruar tutje Hoti.

Hoti tha se LDK ka potencial të madh që duhet të çlirohet dhe kanalizohet:

“Është koha që këtë potencial ta çlirojmë dhe ta kanalizojmë për ta kthyer LDK-në në forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror. Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion", u shpreh Hoti.