Mbingarkohet emergjenca në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Mbingarkohet emergjenca në Prishtinë

Aktuale January 25, 2026 - 10:50

Klinika Emergjente në QKUK gjatë vikendit përballet me fluks të madh të pacientëve që kanë kërkuar trajtim, duke mbingarkuar klinikën.

Nga emergjenca kanë apeluar te qytetarët që fillimisht për rastet jo urgjente të kërkojnë trajtim në qendra të mjekësisë familjare apo edhe spitalet rajonale në mënyrë që të shmangin ngarkesën e klinikës emergjente. Ndërkohë, fluks të shtuar të pacientëve kanë vërejtur edhe në qendrat e mjekësisë familjare në kryeqytet.

Fundjava përballi emergjencën e Qendrës Klinike Universitare me një fluks të madh të pacientëve, duke shkaktuar kështu ngarkesë të madhe në punë. Përgjatë dy ditëve janë trajtuar rreth 900 raste, duke ofruar shërbime të natyrave të ndryshme, nga të cilat 61 kanë si pasojë e aksidenteve.

Duke marrë për bazë se shumica nga ata që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore, nga Emergjenca kanë bërë thirrje që qytetarët të mos anashkalojnë qendrat e mjekësisë familjare apo spitalet rajonale, raporton RTK.

Në këtë thirrje, mes tjerash, thuhet se Qendra Emergjente mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën.

Një fluks i madh i qytetarëve është vërejtur edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë në kryeqytet.

“Këtë javë i kemi pas diku deri në 500 konsultime mjekësore, mirëpo i kemi qendrën numër 6 i ka pas rreth 1600 konsultime, qendra nr4 rreth 1800-1900 konsultime sepse e ka edhe ndërrimin e natës, gjithashtu edhe qendra nr5 te Dardania i ka pas diku rreth 1800 konsultime brenda një jave”, tha Vjollca Zeqiri, ud.kryeshefe e QKMF-së.

Bazuar në të dhënat e qendrës kryesore të mjekësisë familjare, përgjatë vitit të kaluar, vetëm 2% e rasteve emergjente janë referuar drejt Qendrës Klinike Universitare.