Kamerat e sigurisë në kryeqytet rrisin efektivitetin në trafikun rrugor
Foto: Laura Hasani

Kamerat e sigurisë në kryeqytet rrisin efektivitetin në trafikun rrugor

Aktuale January 25, 2026 - 20:29

Monitorimi përmes kamerave të sigurisë, sipas njësisë së trafikut në kryeqytet, po rezulton efikas. Për kundërvajtje, në baza ditore raportohet se ndëshkohen nga 50 deri në 100 persona. Policia vazhdon të bëjë thirrje që ngasësit të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe t`i respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. Kamera të sigurisë pritet të vendosen edhe në shumë pjesë të tjera të  kryeqytetit.

Kamerat e sigurisë, të vendosura muaj më parë nga drejtoria e policisë në kryeqytet, japin edhe efikasitetin në ndëshkime për shkelësit në trafik, duke u konsideruar të rëndësishme për sigurinë në komunikacion dhe në përgjithësi. Shqiptimi i gjobave, përmes monitorimit të kamerave, tashmë ka filluar, duke ndëshkuar mbi 1 mijë e më shumë kundërvajtës gjatë një jave.

“Gjobat variojnë, vetëm përmes kamerave, mund ta konfirmoj se diku prej 50- deri ne 100 gjoba brenda ditës, ky është trendi”, thotë Vedat Zuka, shef i operatives së trafikut në kryeqytet.

Njësiti i trafikut të kryeqytetit vazhdon të realizojë shqiptimin e gjobave bazuar në monitorimin e kamerave të sigurisë, si edhe gjatë zbatimit të detyrave të rregullta në terren, duke shënuar kështu edhe përmirësim të gjendjes.

“Prej vendosjes se tyre e deri me tash, unë konsideroj që kanë qenë shumë efikase, kanë ndikua jashtëzakonisht mirë edhe të populli që njëkohësisht shfrytëzoj rastin t’i falënderoj edhe vozitësit të cilët i kanë respektua këshillat sugjerimet, por edhe vetë kamerat, konsideroj që gjendja është përmirësua me një përqndje jashtëzakonisht të dukshme”, thotë Zuka.

Ndërkohë ekspertë të komunikacionit nënvizojnë se vendosja e kamerave të sigurisë që synon parandalimin e aksidenteve, pritet të japë rezultate pozitive edhe në sigurinë e përgjithshme. Madje nga këndvështrimi i ekspertëve të kësaj fushe gjobat duhet të jenë më të larta dhe pa përjashtim.

“Vendosja e kamerave, nëpër kryqëzime të rrugëve, ose edhe në semaforë, sigurisht që do ta jep edhe rezultate më të mëdha të sigurisë, në komunikacion rrugor, kamerat do ta luajnë, rolin e sigurisë në komunikacion por edhe të sigurisë në përgjithësi”, thotë Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.

“Funksionalizimi i kamerave, është kanë shumë i nevojshëm, dhe shumë i mirë, Duhet të merren ato kamera, duhet të merren aty gabime që i bëjnë, të iu shqiptohen dënime”, thotë Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.

Kamerat e sigurisë pritet të vendosen edhe në shumë pjesë të tjera të kryeqytetit. Ndërkohë, policia u bën thirrje ngasësve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve./rtk