Kush do ta zëvendësojë Bislimin si kryenegociator?
Foto: Laura Hasani

Kush do ta zëvendësojë Bislimin si kryenegociator?

Aktuale January 25, 2026 - 21:23

Nga viti 2021 ka ushtruar pozitën e zëvendëskryeministrit të parë të Republikës së Kosovës.

E për pesë vjet, Besnik Bislimi ka qenë edhe kryenegociator i vendit për dialogun Kosovë – Serbi.

Brenda kësaj periudhe, ka zhvilluar disa takime në Bruksel të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Por në nëntor të vitit 2025, Bislimi ka njoftuar në televizionin publik që nuk do të jetë më në këtë pozitë.

Por se ku do të shërbej për mandatin e ri, nuk kanë treguar nga Qeveria e Kosovës në detyrë.

Ekzekutivi nuk ka treguar se kush është emri që do e zëvendësoj.

Por një emër për zëvendësimin e Bislimit e ka profesori, Dorajet Imeri.

“Unë konsideroj që kjo detyrë do të mund të i besohet zv.kryeministrit të parë dhe ministrit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca që të mund të vijoj procesin negociues atje. Natyrisht është e rëndësishme përvoja dhe njohja që ka fituar atje dhe ka pasur zv.kryeministri Bislimi, unë konsideroj që pavarëisht që ai mund të mos jetë në politikë aktiv ai mund të jetë një aset i çmuar për Republikën për të mbështetur vijimin e proceseve politike të rëndësishme”, shprehet Imeri.

Analisti politik nga Shqipëria, Ben Andoni thotë se nuk luan rol emri, pasi kryenegociatorët janë zëra të Qeverive të tyre.

“Personalisht besoj, të dy kryenegociatorët edhe në Kosovë edhe në  Serbi thjesht përcjellin qëndrimet e Qeverive të tyre ndërsa pjesën teknike zakonisht e bëjnë burokratët e nivelit të dytë dhe të tretë. Në këtë rast, zotëri Bislimi është zëri i zotëri Kurtit dhe Petkoviq është zëri i Vuçiqit nuk është diçka më shumë. Prandaj në mendimin tim kjo nuk luan rol aq të madh por ekziston mundësia logjike që në të ardhmen, para zgjedhjes së presidentes/it, Vetëvendosje të bëjë një koalicion me LDK-në”, thotë Andoni.

Më 19 nëntor kur dështoi formimi i Qeverisë Konjufca 1, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi u propozua si ministër i Infrastrukturës./teve1