Zyra e BE-së reagon pas dështimit të KPK-së të marrë mandatin në mbledhjen konstituive
Përmes një letre që Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, BE-ja ka shprehur shqetësim serioz lidhur me dështimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të vendosur funksionet e tij organizative bazë, në mbledhjen konstituive të mbajtur më 20 janar 2026.
Në letrën drejtuar kryesuesit të kësaj mbledhjeje, u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Qalaj, BE-ja thekson se dështimi për të konstituuar Këshillin është veçanërisht zhgënjyes, duke pasur parasysh se përbërja e re e KPK-së kishte për qëllim të shënonte një hap kyç në procesin aktual të reformës në sistemin prokurorial, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas BE-së, megjithëse reforma synonte forcimin e udhëheqjes dhe përputhjen e sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit, Këshilli u pengua të marrë mandatin e tij dhe të fillojë punën siç ishte paraparë.
Më tej, në letër thuhet se BE-ja ka mbështetur vazhdimisht reformën e KPK-së, me qëllim të reduktimit të korporatizmit dhe forcimit të përputhshmërisë së sistemit prokurorial me parimet e sundimit të ligjit. Po ashtu, theksohet se është pritur që reforma të zbatohej në mirëbesim, me një përkushtim të sinqertë ndaj zhvillimit institucional.
Ndërkaq, në këtë kontekst, Zyra e BE-së rikujton se ka shprehur më herët dhe në mënyrë të përsëritur shqetësime serioze lidhur me vendime që kanë qenë proceduralisht të parregullta dhe madje të paligjshme, duke minuar zbatimin e reformës.
Në këtë kuptim, në letër thuhet se është për të ardhur keq që një qasje e diskutueshme ndaj udhëheqjes demokratike të Këshillit, nën kryesimin e Qalajt, tani e ka penguar atë të marrë mandatin e tij.
Në letër theksohet se, si pasojë, legjitimiteti i Këshillit është dobësuar, ndërsa kjo minon edhe angazhimin e BE-së të bazuar në partneritet me një institucion, kredibiliteti dhe përkushtimi i të cilit ndaj udhëheqjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë janë vënë në pikëpyetje.
Kështu, Ambasadori Orav i bën thirrje Qalajt që, në kuadër të rolit dhe përgjegjësive të tij, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar funksionimin e rregullt të Këshillit. Ndërkohë, thekson se kjo kërkon respektim të plotë të rregullave dhe procedurave ligjore, të zbatuara në mënyrë të drejtë, si dhe shmangien e çdo praktike që mund të perceptohet si manipulim procedural apo pengesë taktike.
Në fund, BE thekson se sistemi prokurorial është një gur themeltar i sundimit të ligjit dhe se funksionimi i tij i rregullt është thelbësor për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane.Po ashtu, thuhet se zhvillimi i sistemit prokurorial do të mbetet një angazhim i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian dhe një element kyç i vlerësimit të tij për situatën e sundimit të ligjit në Kosovë, ndërsa forma e angazhimit të ardhshëm do të varet nga kredibiliteti i Këshillit dhe përmbushja e parimeve të qeverisjes së ligjshme, transparente dhe të drejtë.
Ndryshe, përmes një reagimi të publikuar më 21 janar 2026, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat sipas tyre po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sipas IKD-së, Qalaj po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të zvarritur funksionalizimin e Këshillit dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.