Bislimi: Projektligji për Luginën në Kongresin amerikan tregon qasje më strikte të SHBA-së ndaj Serbisë
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Projektligji për Luginën në Kongresin amerikan tregon qasje më strikte të SHBA-së ndaj Serbisë

Aktuale January 27, 2026 - 08:07

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, e ka cilësuar projektligjin për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të prezantuar në Kongresin Amerikan, si formalizim zyrtar të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë.

Sipas Bislimit, ky dokument dëshmon se Serbia nuk mund të tolerohet më dhe se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë nuk mund të vazhdojë pa u adresuar në arenën ndërkombëtare.

“Dokumenti është formalizim zyrtar i qëndrimit të SHBA-së se Serbia nuk mund të ledhatohet më dhe as nuk mund t’i lejohet që diskriminimi që ua bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbetet i panjohur ndërkombëtarisht, sidomos në një kohë kur Serbia kërkon privilegje shtesë për serbët lokalë në Kosovë”, ka deklaruar Bislimi.

I pyetur nëse ky projektligj përfaqëson një qasje më strikte të administratës “Trump” ndaj Serbisë, Bislimi është shprehur se bëhet fjalë për një qëndrim tashmë të zyrtarizuar.

“Absolutisht po. Jo vetëm më strikte, por një qasje e zyrtarizuar përmes një projektligji që ka kaluar në mënyrë unanime në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, i iniciuar nga kongresmeni Keith South dhe i përkrahur plotësisht”, tha ai në Teve1.

Në fund, Bislimi ka theksuar se Kosova duhet të shfrytëzojë momentumin historik nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, të cilën e cilësoi si më direkte dhe vendimmarrëse.

“Nën presidentin Trump kemi një qasje që kërkon edhe nga ne të jemi më proaktivë dhe ta shfrytëzojmë këtë momentum historik, jo vetëm për shqiptarët e Luginës, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, përfundoi Bislimi.

Ndryshe, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit amerikan kanë votuar më 21 janar për të dërguar përpara këtë projektligj, që i kërkon sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të përgatis një raport gjithëpërfshirës për trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që njihen edhe si Lugina e Preshevës.

Pasi ta kalojë shqyrtimin e plotë, ky projektligj raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve dhe do t’i dërgohet për votim gjithë Dhomës së Përfaqësuesve. Më pas ai duhet të miratohet edhe nga Senati dhe të nënshkruhet në ligj nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ky projektligj kërkon të vlerësohen çështje me rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave të shqiptarëve, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.