Testimi i dronit kosovar “Skifteri K1” ngjall reagime, Aliu mohon akuzat për manipulim

Testimi i dronit kosovar “Skifteri K1” ngjall reagime, Aliu mohon akuzat për manipulim

Aktuale January 27, 2026 - 08:58

Pamjet e publikuara ditë më parë nga testimi i dronit kosovar “Skifteri K1”, i cili sipas prodhuesve demonstron aftësi goditëse me rreze veprimi deri në një mijë kilometra, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke vënë në pikëpyetje autenticitetin e videos.

Lidhur me këto pretendime në emisionin “Debat plus” ka reaguar Ridvan Aliu, prodhues i dronëve dhe përfaqësues i kompanisë që qëndron pas projektit “Skifteri”.

Ai i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke theksuar se droni është ndërtuar në Kosovë nga studentët vendorë.

“Sa hyra në Kosovë e ende mantilin nuk e hoqa, i pashë mesazhet dhe u ndala në një vend. Po thonë që është ‘fake news’, por Skifteri K1 është ndërtuar në Kosovë, nga studentët tanë. Nuk është vetëm një prototip, por një numër i madh i tyre. Testimet do të vazhdojnë çdo muaj”, tha Aliu.

Sipas tij, videoja e publikuar është autentike dhe është realizuar nga ekipi i kompanisë jashtë Kosovës, por jo në Kinë, siç është aluduar në rrjete sociale.

“Është video autentike e ekipës sonë jashtë Kosovës, nuk është video kineze”, theksoi ai.

Aliu shtoi se kompania që ai drejton ka mbi 100 punëtorë dhe funksionon përmes disa entiteteve dhe më shumë se nëntë kompanive të ndryshme.

“Me cilën kompani punojmë në projekte të caktuara është çështje tjetër”, deklaroi ai.

Ndërkohë, i pyetur nëse testimi i dronit është kryer në stadiumin e Kamenicës, Aliu e mohoi një gjë të tillë.

Ai sqaroi se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës nuk është njoftuar për testimin, pasi ai është realizuar për një klient jashtë vendit.

“Testimi është kryer me një klient tonin jashtë Kosovës. Për shembull, droni ‘Vital’, të cilin e kemi postuar para dy ditësh, do të testohet në Bashkimin Evropian. Ai është ndërtuar këtu dhe nesër do të publikojmë një video që tregon se si ndërtohet një fluturake më e sofistikuar se ‘Skifteri K1’, e cila do të testohet në një nga shtetet e BE-së”, tha Aliu, duke shtuar se nuk e di se nga po merren informacionet e pasakta që po qarkullojnë.

Ai theksoi gjithashtu se kompania nuk e bën publike vendndodhjen e klientëve, me kërkesë të tyre.

“Klienti nuk dëshiron të bëhet publik. Kjo video është bërë për të demonstruar aftësitë e dronit dhe për t’ua prezantuar kandidatëve të tjerë potencialë, prandaj edhe vendosa ta publikoj”, shtoi ai.

Po ashtu i pyetur nëse droni “Skifteri K1” i është shitur ndonjë shteti aleat apo armik, Aliu u shpreh se kompania bashkëpunon vetëm me shtete mike të Kosovës.

“Ne gjithmonë merremi me shtetet aleate të Kosovës, nuk merremi me shtete armike”, përfundoi ai.