“Flaka e Janarit” në Rahovec, përkujtohen katër heronjtë e lirisë

“Flaka e Janarit” në Rahovec, përkujtohen katër heronjtë e lirisë

Aktuale January 27, 2026 - 20:33

Në Lugun e butë të Brestovcit të Rahovecit, u mblodhën familjarë, veteranë e dëshmitarë të protestës së vitit 1990 për të kujtuar dëshmorët Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi, ndërsa Milaim Arllati është njëri nga të plagosurit e asaj demonstrate së bashku me 18 protestues të tjerë.

"Ne ishim atëherë duke i prit në fshatin Brestovc, ku ishin duke ardhur demonstruesit nga Krusha e madhe, Celina, Nagavci dhe Hoqa e Vogël. Mu në këtë vend, dolën patrulla e policisë dhe hapën zjarr, ku mbetën katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur", tha Milaim Arllati, i plagosur.

Në vendin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme dhe krenare, u bënë homazhe e u vendosën kurora lulesh, nga familjarë, veteranë e shumë rahovecas.

“Rruga e tyre u ndërpre me zjarr e me hekur në Brestovc, pikërisht në këtë vend, gjaku skuqi borën, por jehona e krismave udhëtoi në dekada. Thirrjet e tyre për liri e dinjitet kombëtarë, bënë që organizimi i rezistencës të jetë më i fuqishëm", tha kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Në akademinë përkujtimore që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës "Mensur Zyberi" Andin Hoti, i biri i Ukshin Hotit, tha se katër heronjtë kishin përqafuar thënien e babait të tij "Bëje, ose vdis".

"Katër dëshmorët që po kujtojmë sot, janë pararoja morale e UÇK-së, ata janë zinxhiri që lidhi rezistencën paqësore me rezistencën e armatosur, pa Brestovc të vitit 1990, nuk do të kishte as protestë të vitit 91, pa të nuk do të kishte as Epope të Lavdishme të UÇK-së", deklaroi Hoti.

Aktivitetet kulturore përkujtimorë në Rahovec, organizuar nga OVL e UÇK-së, po mbahen në kuadër të "Flakës së Janarit" rrugëtimit historik të kombit shqiptar në dekada, për Liri e Pavarësi.