VoRAE me thirrje për donacion të pajisjeve teknologjike për studentët nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë

VoRAE me thirrje për donacion të pajisjeve teknologjike për studentët nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë

Aktuale January 28, 2026 - 10:31

Mungesa e pajisjeve teknologjike vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për arsimimin e të rinjve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.

Për shumë studentë ambiciozë, një laptop apo kompjuter nuk është luks, por mjeti bazik që ua mundëson vijimin e studimeve dhe qasjen në botën digjitale.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, vetëm rreth 24 për qind e të rinjve nga këto komunitete e përfundojnë arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me rreth 87 për qind në nivel kombëtar. Rënia e pjesëmarrjes në shkollë me rritjen e moshës dhe shkalla e lartë e braktisjes së arsimit lidhen ngushtë me faktorë socio-ekonomikë, përfshirë mungesën e qasjes në teknologji.

Pa një pajisje teknologjike, shumë studentë hasin vështirësi në ndjekjen e ligjëratave, realizimin e punimeve akademike, aplikimin për bursa apo përfshirjen në programe të praktikës profesionale. Në këto rrethana, arsimi shpesh mbetet një derë e mbyllur.

Në këtë kontekst, Organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VoRAE) ka nisur një thirrje publike për donacion të pajisjeve teknologjike, me synimin që t’u ofrojë studentëve mjete konkrete për të vazhduar dhe përfunduar studimet e tyre.

Përmes programit “Mbështetje plotësuese për studime akademike”, VoRAE ofron mentorim, tutorim, trajnime digjitale dhe udhëzim për karrierë për studentët nga këto komunitete. Megjithatë, sigurimi i pajisjeve teknologjike për çdo student tejkalon kapacitetet financiare të një organizate jo-fitimprurëse, duke e bërë kontributin e donatorëve thelbësor për arritjen e rezultateve konkrete.

Çfarë mund të dhurohet?

VoRAE fton individë, biznese dhe institucione të dhurojnë:

• laptopë (prioritet),

• kompjuterë desktop me monitor,

• tableta.

Pajisjet mund të jenë të reja ose të përdorura, përderisa janë funksionale. Organizata kujdeset për kontrollin teknik, regjistrimin dhe shpërndarjen transparente të tyre te studentët në nevojë.

Sipas VoRAE-s, një pajisje e vetme mund të bëjë dallimin mes braktisjes së studimeve dhe diplomimit. “Një pajisje për dikë është thjesht teknologji e papërdorur, ndërsa për një student është qasje në arsim dhe një mundësi reale për një të ardhme më të mirë,” thuhet në thirrjen e organizatës.

Të interesuarit për të kontribuar mund të kontaktojnë VoRAE-n përmes adresave elektronike [email protected] dhe [email protected]. Pajisjet mund të dorëzohen personalisht ose të organizohet tërheqja e tyre nga organizata.

Për më shumë informacione rreth fushatës dhe mënyrës së dhurimit, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të VoRAE-s.

Image