Isa Mustafa: LDK-ja duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të fokusohet te zhvillimi i qëndrueshëm i partisë
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar sot për rrjedhat e brendshme në partinë e tij, duke theksuar rëndësinë e unitetit, përgjegjësisë etike dhe ruajtjes së vlerave historike të LDK-së.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Mustafa ka bërë thirrje që diskutimet për rezultate zgjedhore, dorëheqje apo kandidatura për poste të larta brenda LDK-së të mos zgjidhen përmes deklaratave publike apo presionit mediatik, por përmes organeve vendimmarrëse të partisë. Ai ka paralajmëruar se format populiste të “tifozllëkut” dhe propagandës mund të deformojnë demokracinë e brendshme dhe të krijojnë përçarje të panevojshme që nuk i shërbejnë partisë.
“LDK-ja nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK-ja ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mustafa, transmeton Zeri.info.
Ai ka theksuar se LDK-ja nuk identifikohet me asnjë individ të veçantë përveç figurës historike të kryetarit të saj themeltues, Ibrahim Rugova, dhe se partia duhet të mbetet mbi bazat ideologjike dhe programore që e kanë karakterizuar prej 36 vitesh – si parti konservatore qendrore me orientim euroatlantik të palëkundur.
Mustafa ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e reformave që hapin dyert për të rinjtë, përfshirjen e anëtarëve dhe simpatizantëve të rinj, dhe ruajtjen e përgjegjësisë si standard i etikës demokratike: çdo rezultat duhet të ketë pasojë dhe të kontribuojë në forcimin e unitetit dhe zhvillimin e partisë.
Ai ka theksuar se Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë i partisë, duhet të vendosë për të ardhmen e partisë në mënyrë të përgjegjshme, duke u fokusuar tek rritja dhe progresi i LDK-së, dhe jo tek përçarjet apo platforma për interesa të veçanta. Mustafa ka bërë thirrje për bashkëpunim mes të vjetërve dhe të rinjve, dhe për një përfshirje sa më të madhe të anëtarësisë dhe votuesve.
Sipas tij, “LDK-ja qëndron para çdo emri të veçantë” dhe misioni i saj politik mbetet ndërtimi i një shteti perspektiv, të fortë dhe të qëndrueshëm, duke u bazuar mbi vlerat dhe vizionin historik të partisë.