Vazhdon largimi i shqiptarëve nga puna në komunat veriore

Vazhdon largimi i shqiptarëve nga puna në komunat veriore

Aktuale January 29, 2026 - 18:59

Nga e marta nuk doli në punë.

T.K-së, po shërbente si zyrtar në Zyrën për Komunitete dhe Kthim në Mitrovicën e Veriut.

Por, së fundmi, ky u njoftua se i është shkëputur kontrata e punës.

T.K nuk pranoi të fliste para kamerës së Tëvë1.

Por, ankesën e tij tek televizioni e adresoi përmes një përgjigje me shkrim.

Në të thotë se situata ndryshoi, pas ardhjes në zyre të kryetarit të ri serb, Milan Radojovic.

“Kam qene zyrtar ne Zyrën për Komunitete dhe kthim. Punën, bashke me dy koleget tjerë e kemi filluar me 15.08.2025 pas një konkursi te rregullt, transparent e te hapur për te gjithë qytetaret e Republikës se Kosovës, pa asnjë dallim. Kontrata na është ndërprere me arsyetimin e kuotës etnike ne zyre, gjë qe ne konkurs, kriter nuk ka qene kuota etnike, pra nuk është cek qe kaq kandidat qe kane me u pranuar duhet me qene shqiptar, kaq serb, kaq turk, kaq boshnjak etj. Na vlerësojmë qe qysh me nënshkrimin e kryetarit te këtyre vendimeve, vendimet për largim te ne treve janë te kundërligjshme, dhe po, do ti ndjekim rrugët ligjore”, shprehet ai.

Se në konkursin përmes të cilit u pranuan në punë, nuk ka qenë kriter kuota etnike, e thotë edhe ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin.

“Presioni në vazhdimësi do të jetë, por juridikisht ata janë përmbajt sipas vendimit të Kuvendit Komunal sepse KK ka miratuar një vendim ku duhet proporcionalisht me qenë të përfshirë të gjitha komunitetet. Unë paraprakisht edhe kur është hapë konkursi e kam njoftuar kryetarin që s’është në përputhje me ligjshmëri hapja e konkursit sepse nuk janë ndërmarrë hapat konkrete që Kuvendi ka miratuar edhe ka pru vendimin që me qenë në kuadër të Kuvendit për komisionin për Komunitete që janë përcaktuar vendet tre shqiptarë dy boshnjakë, një serb dhe një nga komunitet turk e në këtë mënyrë është dashur edhe të hapët konkursi”, thotë ai.

Fatin e njëjtë sikur T.K e kanë pasur edhe disa shqiptarë të tjerë në komunat veriore të vendit.