Çka po i kthen fëmijët e Kosovës në kriminelë?
Sa do vepra të rënda penale të kryejnë, fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk dënohen.
Kështu e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Grupi i të miturve nga Fushë-Kosova, të cilët kanë kryer dhjetëra raste vjedhjesh dhe vjedhjesh të rënda, nuk do ta vuajë asnjë ditë burg.
Avokati Admir Salihu thotë se edhe prindërit e këtyre fëmijëve mund të kenë kryer vepra penale, si pasojë e papërgjegjësisë ndaj fëmijëve të tyre.
Meqenëse personat nën moshën 14-vjeçare nuk i kap ligji, në rastin konkret, sipas avokatit Salihu, prindërit mund ta vuajnë dënimin për veprimet e fëmijëve të tyre.
Por, çfarë i shtyn fëmijët të kryejnë vepra kriminale?
Ndër të tjera, psikologu Dorjan Krasniqi thotë se fëmijët po i marrin si model artistët, të cilët këndojnë për drogën, krimin dhe paratë.
Por, a do të duhej të ndëshkohen këta fëmijë?
Psikologu Krasniqi u bën thirrje institucioneve që të punojnë në këtë drejtim dhe të mos i lënë këta fëmijë të shndërrohen në kriminelë në të ardhmen.