Kurti: Para zgjedhjes së presidentit Kuvendi duhet t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pres kapitull të ri me opozitën
Foto: Laura Hasani

Kurti: Para zgjedhjes së presidentit Kuvendi duhet t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pres kapitull të ri me opozitën

Aktuale January 30, 2026 - 11:54

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur sot për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, i cili duhet të përfundojë më së largu deri në mars të këtij viti.

Kurti njoftoi se është në kontakt dhe ka pasur takim me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se votimi për presidentin është vetëm hapi i katërt në këtë proces.

Sipas tij, përpara kësaj, Kuvendi duhet të kryejë tre hapa të tjerë: konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Ne jemi në komunikim dhe kemi pasur takim. Të keni parasysh se zgjedhja e presidentit është hapi i katërt. Pas certifikimit të zgjedhjeve nevojiten tre hapa paraprak: konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe fillimi i vendimeve për marrëveshjet ndërkombëtare. Aktualisht kemi tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, në vlerë prej 882 milionë eurove”, deklaroi Kurti, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se pret një kapitull të ri bashkëpunimi me opozitën dhe bëri thirrje që këto marrëveshje të miratohen, për të cilat nevojiten së paku 80 vota në Kuvend.

“Besoj se në raport me opozitën, do të shohim nëse mund të hapim një kapitull të ri që dallon nga ai i vitit 2025. Muaji shkurt do të tregojë nëse ka atmosferë për një raport të ri qeveri-opozitë. Nuk mund ta them këtë me siguri tani, por është periudha që do ta përcaktojë”, tha Kurti.