Peci pas intervistimit në Prokurori: Do të bëj kallëzim penal kundër kallëzimit të rremë të LDK-së
Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka konfirmuar se ka qenë sot në Prokurori për të dhënë sqarime lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-deputetit Paris Guri.
Përmes një reagimi publik, ai ka deklaruar se gjatë paraqitjes në Prokurori ka qenë transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në shpjegimet e tij lidhur me rolin që ka pasur si ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për kallëzim të rremë penal, duke e akuzuar ish-deputetin Paris Guri për shpifje, insinuata dhe orkestrimin e një fushate denigruese ndaj tij.
Sipas tij, kallëzimi penal ndaj tij është i pabazë dhe i ndërtuar mbi pretendime të rreme, ndërsa thekson se këto sulme nuk do ta ndalin në angazhimin e tij publik dhe politik.
Ai ka përfunduar reagimin duke theksuar se, pavarësisht akuzave, shpifjeve dhe presioneve, do të vazhdojëpunën dhe angazhimin për Kosovën.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë
Përmes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri.
Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës.
Sepse ai përmes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, duke deponuar një kallëzim të rrejshëm penal kundër meje si ministër.
Për fund, dua të përsëris dhe t’ju siguroj se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet e përpjekja për baltosjen e emrit tim, nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën!
Vazhdojmë!