Ndalohet për 48 orë kryeshefi i “Eko-Regjionit” në Prizren
Foto: Laura Hasani

Ndalohet për 48 orë kryeshefi i “Eko-Regjionit” në Prizren

Aktuale January 30, 2026 - 14:56

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Eko-Regjioni” në rajonin e Prizrenit, Burim Shala, është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Arrestimi i tij vjen si vazhdimësi e aksionit të zhvilluar të hënën, në kuadër të të cilit u arrestuan edhe një zyrtar i ndërmarrjes dhe një biznesmen, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në proceset e prokurimit publik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i dyshuari B.Sh. po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga Neni 414, paragrafi 1, në lidhje me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimi është realizuar në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshime serioze për aktivitet të paligjshëm në fushën e prokurimit publik.

Prokuroria Speciale ka theksuar se hetimet janë në vazhdim dhe se ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprime të tjera procedurale në përputhje me ligjin. /Zëri