Zyrtarët korrektues akoma nuk paguhen për orarin 12-orësh, ndërrimin e natës e të festave zyrtare
Foto: Laura Hasani

Zyrtarët korrektues akoma nuk paguhen për orarin 12-orësh, ndërrimin e natës e të festave zyrtare

Aktuale January 30, 2026 - 15:15

Një punëtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) në kushte anonimiteti i është drejtuar “Zërit”, duke denoncuar shkelje të vazhdueshme të Ligjit të Punës në institucionet e sigurisë së lartë, çka ka ngritur shqetësime serioze për trajtimin e zyrtarëve korrektues.

Sipas denoncimit, zyrtarët korrektues punojnë me turne 12-orëshe, duke përfshirë ndërrimet e natës dhe ditët e festave zyrtare, por nuk përfitojnë shtesat financiare përkatëse, ashtu siç përcaktohet me ligj.

Tutje, theksohet se në rastet e pushimit mjekësor, punëtorët regjistrohen vetëm me 8 orë pune, ndonëse kontratat dhe orari real janë 12-orëshe. Në evidencat mujore llogariten 160 orë fikse, ndërsa në praktikë realizohen orë shtesë gjatë muajve, përfshirë janarin dhe periudha të tjera, të cilat nuk kompensohen as financiarisht dhe as me pushim zëvendësues, në kundërshtim me nenet 20 dhe 21 të Ligjit të Punës.

Po ashtu, sipas denoncimit, pas përfundimit të pushimit mjekësor, punëtorët detyrohen të punojnë për një muaj me orar 8-orësh, duke pësuar ulje të të ardhurave dhe trajtim të pabarabartë, gjë që konsiderohet shkelje e Nenit 33 të Ligjit të Punës dhe parimit të mosdiskriminimit.

“Zëri” ka raportuar që nga muaji tetor i vitit të kaluar për këto shkelje, ndërsa në një përgjigje zyrtare nga Shërbimi Korrektues i Kosovës thuhet se problemi lidhet me kufizime buxhetore dhe procedura financiare.

“Në këtë vit fiskal nuk ka pasur plotësim-ndryshim të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, SHKK-ja nuk ka pasur mundësi të paraqesë kërkesë për buxhet, pasi që lëvizjet në buxhet për këtë kategori mund të bëhen vetëm në tremujorin e fundit të vitit fiskal. Për këtë arsye, thesari nuk i ka ekzekutuar shtesat për ndërrime të natës”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Sipas SHKK-së, është dorëzuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Financave dhe, pas miratimit të transfereve buxhetore, të gjitha obligimet e mbetura për zyrtarët korrektues do të paguhen në mënyrë retroaktive. /Zëri