Kuvendi i Punës i LDK-së kalon në fazën vendimmarrëse, 355 delegatë përcaktojnë liderin e partisë nën dyer të mbyllura
Foto: Laura Hasani

Kuvendi i Punës i LDK-së kalon në fazën vendimmarrëse, 355 delegatë përcaktojnë liderin e partisë nën dyer të mbyllura

Aktuale January 31, 2026 - 14:01

Kuvendi i Punës i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përmbyllur pjesën e hapur të punimeve dhe procesi ka kaluar në kompetencë të Kryesisë së Punës së këtij kuvendi.

Në këtë kuvend, 355 delegatë pritet të vendosin për liderin e ardhshëm të LDK-së.

Kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e pavarësisë së procesit vendimmarrës, duke u bërë thirrje delegatëve që vendimi të merret pa ndikime individuale.

Ai gjithashtu njoftoi dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, duke ia lënë Kuvendit vendimin për votëbesim.

“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë po ia paraqes Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, në mënyrë që ky Kuvend të vendosë për votëbesimin”, deklaroi Abdixhiku.

Image

Ndër të tjera, ai shtoi se, ashtu si në mars të vitit 2021, kur u zgjodh në krye të LDK-së, do të ulet sërish si njëri nga 355 delegatët e Kuvendit.

“Këto punime duhet të jenë të pavarura nga çfarëdo ndikimi individual. Dhe, sikurse në mars të vitit 2021, kur ju më dhatë privilegjin më të madh jetësor, të ju prijë, do të ulem sërish si njëri nga 355 delegatët e kësaj shtëpie të madhe të demokracisë që e desha pa kusht”, përfundoi ai.