Arjanit Hoxha zgjidhet nënkryetar i BDI-së
Arjanit Hoxha, kryetari i Partisë Demokratike Evropiane, do të jetë nënkryetari i gjashtë i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Sot, Këshilli i përgjithshëm e ka niratuar propozimin e kryetarit Ali Ahmeti që Hoxha të jetë nënkryetar i BDI-së, ndërkohë që edhe 8 anëtarë rë PDE-së, janë emëruar anëtarë në Këshillin e Përgjithshëm të BDI-së.
Njoftimi i plotë nga BDI:
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot ka konvokuar mbledhjen e tretë të Këshillit të Përgjithshëm , në të cilën në rend dite u shqyrtuan çështje që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm partiak, si dhe zhvillimet aktuale politike në vend.Sa i përket organizimit të brendshëm partiak, njoftojmë opinionin publik se sot, me unanimitet të plotë, Partia Demokratike Evropiane iu bashkangjit Bashkimit Demokratik për Integrim.
Me propozim të kryetarit Ali Ahmeti, Këshilli i Përgjithshëm miratoi këtë iniciativë, me ç’rast Arjanit Hoxha dhe Vedat Osmani, Dritan Ramadani, Bastri Bajrami, Arben Fejzullahu, Femi Iseni, Liridon Useini dhe Veli Veliu u bënë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së. Po ashtu, me propozim të kryetarit Ali Ahmeti dhe me mbështetje unanime të Këshillit të Përgjithshëm, Arjanit Hoxha u zgjodh nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.Në pjesën që kishte të bëjë me zhvillimet aktuale politike, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi gjerësisht për çështjet thelbësore që prekin shtetin dhe shoqërinë, të cilat e karakterizojnë aktualitetin politik në vend.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve shqetësuese në kuadër të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë ndarjen e gjyqtarëve në linja etnike në trajtimin e çështjeve me sensitivitet të lartë, të cilat prekin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Ohrit.U theksuan shqetësimet lidhur me tentativat për minimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke filluar nga vendimi për shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, tentativat për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe përpjekjet për cenimin e dygjuhësisë në Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, përfshirë përdorimin e gjuhëve në ambalazhe dhe etiketimin e produkteve, si dhe procesuimin e Rasteve të Hagës nga kjo Gjykatë, çështje e cila ishte e mbyllur më vitin 2001 me Ligjin për Amnisti.Gjithashtu, u diskutua për rastet që janë në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, përfshirë iniciativat për ndryshimin e emrave në Komunën e Tetovës, konkretisht përpjekjet për ndryshimin e emrave “Dëshmorët e kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”, të cilat po procedohen në mënyrë tendencioze dhe me ndarje etnike brenda Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, u shprehën shqetësime edhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve, si dhe për përjashtimin e diasporës nga përgjegjësia dhe përfaqësimi, si pasojë e vendimeve dhe qasjeve të Gjykatës Kushtetuese.Në fund, u hapën edhe çështje të tjera të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet aktuale politike në vend, për të cilat Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të mbajë qëndrim të qartë dhe konsekuent në mbrojtje të barazisë, Marrëveshjes së Ohrit dhe stabilitetit demokratik të shtetit.
Në ndërkohë, BDI një muaj më parë, në Kongresin e partisë, për nënkryetarë zgjodhi Bujar Osmanin, Faton Ahmetin, Arbana Pashollin, Erkan Arifin dhe Artan Bilalli Zendedin. Me emërimin e sotëm të Arjanit Hoxhës, BDI për herë të parë bëhet ne gjashtë nënkryetarë.