36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli, Kurti me bashkëpunëtor bënë homazhe në Lupç të Poshtëm

36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli, Kurti me bashkëpunëtor bënë homazhe në Lupç të Poshtëm

Aktuale February 01, 2026 - 13:22

Sot janë bërë 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli, e cila u vra më 1 shkurt 1990 nga forcat policore serbe gjatë demonstratave gjithëpopullore për liri, demokraci dhe të drejta politike në Kosovë.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja në detyrë e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe ministra, deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bënë homazhe te monumenti përkujtimor në Lupç të Poshtëm, pranë vendit ku u vra dëshmorja, për të vazhduar më pas vizitën te familja Humolli.

“Sot bëhen 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli”, thuhet në njoftim, duke rikujtuar se Elfetja ishte vetëm 16 vjeçe në momentin kur u vra, nxënëse e shkollës së mesme dhe “pjesëmarrëse aktive në organizimet popullore të kohës, pjesë e brezit të ri që kërkonte barazi dhe dinjitet për popullin e vet”.Në njoftim theksohet se demonstratat e asaj kohe u përballën me represion të ashpër.

“Protestat e atyre ditëve u përballën me dhunë të ashpër, gaz lotsjellës dhe të shtëna ndaj demonstruesve të paarmatosur, duke dëshmuar përmasën e represionit ndaj një popullsie që kërkonte liri me mjete paqësore”.

Vrasja e Elfete Humollit tronditi mbarë Kosovën, ndërsa varrimi i saj u shndërrua në një tubim masiv qytetar.“Varrimi i saj u kthye në një tubim të madh qytetar me mbi 10 mijë pjesëmarrës, ndërsa familja Humolli u bë simbol i dhimbjes dhe qëndresës së një populli që po përballej me shtypje sistematike”, thuhet më tej.

Rasti i Elfetes u pasqyrua edhe nga media ndërkombëtare, duke dëshmuar dhunën ndaj civilëve shqiptarë që kërkonin të drejta themelore. Sakrifica e familjes Humolli u thellua edhe më tej në vitin 1999, kur “më 16 maj 1999, edhe vëllai i saj, Mentori, ra dëshmor në betejën e Koshares”.

“Sot i nderojmë në komplekset memoriale në Lupç të Poshtëm dhe përkujtojmë guximin e tyre, si dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës”, përfundon njoftimi.