Sistemi informues për barnat esenciale, së shpejti në të gjitha QMF-të e Fushë-Kosovës

Sistemi informues për barnat esenciale, së shpejti në të gjitha QMF-të e Fushë-Kosovës

Aktuale February 02, 2026 - 08:12

Një sistem informues mbi barnave esenciale në QKMF-në e Fushë-Kosovës është vendosur para pak ditësh. Ky projekt është mirëpritur nga pacientët. Kurse nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë Komunë thonë se së shpejti do të implementohet edhe në QMF-të e tjera.

Ka afro një javë që janë vendosur.

Këto ekrane në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Fushë Kosovë do u shërbejnë pacientëve për tu informuar se cilat nga barnat e listës esenciale që ata kanë nevojë, gjenden në këtë QKMF.

Një nismë të tillë e kanë mirëpritur pacientët.

“Unë për vete jam i kënaqur, gruan e kam me diabet asgjë nuk blej këtu i marr furnizohem nga këtu krejt edhe për vete e familje kur kam nevojë diçka kurrë nuk kam pas problem. Shërbimi është shumë i mirë, shkoj edhe në Prishtinë shumë herë, por as afër nuk është me këtu”, thotë Ahmet Prebreza – pacient.

Për shërbimin që po ofrohet përmes këtyre monitorëve, kryeshefi i QKMF-së në Fushë-Kosovë, Mustafa Gashi, tregon se kanë marrë fjalë pozitive edhe nga pacientë të tjerë.

“Pacientët e kanë prit shumë mirë dhe është një mundësi shumë e mirë sepse pacientët gjatë pritjes për me marr shërbime informohen saktë mbi listën e barnave esenciale që janë në dispozicion në qendrën tonë. Përmes këtyre informatave ata e shohin mundësinë apo nevojat e tyre për barnat që ndoshta më herët nuk kanë qenë të informuar se ndodhën në institucionin tonë”, shprehet Gashi për Teve1.

Pajisje të ngjashme planifikohet të vendosen edhe në Qendrat e tjera të mjekësisë familjare gjithandej Fushë-Kosovës.

“Qëllimi vendosjes së monitorit është informimi i qytetarëve për listën e barnave esenciale që gjenden në stok të barnatores. Ky sistem informues i bënë të qarta dhe të verifikueshme të dhënat mbi disponueshmërinë e barnave esenciale duke e rritur kështu llogaridhënien institucionale. Projekti fillimisht ka filluar në QKMF- në dhe së shpejti do të shtrihet në QMF-të dhe AMF-të tjera”, thotë Alban Gashi – drejtor për Mirëqenie Sociale dhe Shëndetësi në këtë komunë.

Ky sistem informues, sipas drejtuesve të QKMF-së në Fushë-Kosovë, krijon një komunikim më të mirë mes institucionit dhe shërbimeve shëndetësore që ofrohen.