Jahjaga, pjesëmarrëse në konferencën për tolerancë globale në Abu Dhabi
Foto: Facebook

Jahjaga, pjesëmarrëse në konferencën për tolerancë globale në Abu Dhabi

Aktuale February 02, 2026 - 11:17

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me ftesë të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, mori pjesë në Konferencën për Tolerancë Globale dhe Vëllazëri Njerëzore, ku mbajti një fjalë rasti me temën “Vëllazëria Njerëzore në Epokën e Inteligjencës Artificiale”.

"Abu Dhabi është shndërruar në një hapësirë të rëndësishme të dialogut global, reflektimit dhe bashkëpunimit, ku inovacioni dhe ambicia ecin paralelisht me vlerat njerëzore. Andaj, duke u bazuar në përvojën time personale dhe në rrugëtimin e Kosovës — nga një shoqëri e shtypur drejt një demokracie ambicioze që feston diversitetin — theksova se ndryshimet e shpejta globale dhe përparimi teknologjik duhet t’i shërbejnë gjithmonë zhvillimit njerëzor, dinjitetit dhe drejtësisë", ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, inteligjenca artificiale dhe teknologjia mund të jenë mjete të fuqishme për të mirën e përbashkët, por ato nuk mund të zëvendësojnë dialogun, empatinë, përgjegjësinë morale dhe guximin njerëzor për të zgjedhur atë që është e drejtë.

"Ngjarje si kjo konferencë janë thelbësore për të reflektuar jo vetëm mbi atë që teknologjia mund të bëjë, por edhe mbi mënyrën se si ajo përdoret, kë shërben dhe çfarë të ardhmeje po ndërtojmë. Vetëm duke e lidhur inovacionin me vlerat themelore të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, mund të sigurohemi se përparimi i shërben vërtet njerëzimit. Po ashtu, vetëm duke ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet e mira me shtetet mike, mund të sigurojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë për qytetarët tanë", tha ajo.