Berisha paraqitet në SPAK
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK-ut rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, gjatë një prononcimi për mediet, u ndal te vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, çështjen e së cilës e kaloi për shqyrtim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.
Sipas Berishës, Irena Gjokës, e cila është edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, duhej t’i ishte ndërprerë mandati.
“Me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelien Koçajt, Emona Muçit, Klodian Kurushit dhe kreut të tij, Ilir Rusi, me 6 vota, refuzuan apo vendosën mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka.
Këta persona, të cilët shkelmojnë mbi një seri dokumentesh zyrtare shqiptare dhe ndërkombëtare, dokumente të cilat i ndërpresin automatikisht mandatin Irena Gjokës, këta janë më kriminelë se vetë Irena. Të votosh, të shkelmosh të gjithë këto dokumente, do të thotë të mos kesh as edhe minimumin e ndërgjegjes profesionale, ndërgjegjes ligjore, do të thotë të mos kesh dinjitet njerëzor”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “të poshtërosh veten duke mohuar vulat apostolike, duke mohuar formularët zyrtarë të këtij shteti, do të thotë je bashkautor në këto krime”.
“Nuk mund të imagjinohej të shkelmoheshin ligjet në këtë mënyrë”, theksoi ai.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për veprën “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Sipas Berishës, “dokumentet me vulë apostile nga shteti grek vërtetuan se Irena Gjoka është dy herë e dëbuar nga Greqia dhe një prej dëbimeve ka qenë për shkak se është kapur me vizë të falsifikuar”.
“Ky falsifikim është vërtetuar me ekspertizë nga laboratori kriminalistik dhe në bazë të saj, Irena Gjoka është dënuar si falsifikatore penalisht. Por kjo natyrisht për 6 firmëtarët e mësipërm, nuk ekziston”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi vendimin e KLGJ-së si “trupi njerëzor në qeverinë e gjyqësorit”.
“Standardi nuk mund të jetë i ndryshëm për Irenën që përdoret si armë kundër opozitës dhe për të gjithë ata që janë dënuar për të njëjtin shkak”, tha ai.
Berisha shtoi se shkeljet e kryera nga Irena Gjoka, i janë paraqitur institucioneve të drejtësisë në rrugë ligjore me dokumente zyrtare.
“Unë dhe Jamarbër Malltezi kemi bërë kërkesa në Gjykatë Kushtetuese, KLGJ dhe ILD. Po kështu Fredi Beleri, Adriana Kalaja, të cilat e kanë ndjekur edhe procedurën pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Çfarë bëri Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, KLGJ-ja, ILD-ja, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese? Shtet më i kapur nga Irena nuk mund të ketë. Turp i dheut! Institucionet shtylla të së drejtës u bënë pjesë të llumit të Irena Gjokës”, tha ai.
Berisha shtoi se KLGJ-ja ka deklaruar se “nuk është organi kompetent dhe se çështja i takon ILD-së”, por sipas tij, KLGJ-ja nuk ka marrë vendim që çështjen ta dërgojë në ILD. /Atsh