Të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt të kalueshme, por kërkohet kujdes
Të gjitha rrugët në rajonin e Ferizajt janë të kalueshme, por kërkohet kujdes i shtuar. Kështu ka bërë të ditur Policia Rajonale e Ferizajt, duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar disa aksidente trafiku.
“Gjendja e sigurisë në komunikacionin rrugor paraqitet të jetë e mirë, të gjitha rrugët e rajonit, duke përfshirë këtu pesë komunat, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han i Elezit, janë të kalueshme. Ka pasur vështirësi në disa pjesë malore, por të gjitha rrugët janë të kalueshme. Bazuar në raportin 24-orësh të Policisë, janë regjistruar gjithsej 5 aksidente, prej tyre 3 aksidente kanë qenë me lëndime e 2 me dëme materiale. Si pasojë kanë mbetur të lënduar 5 persona”, tha Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Ndërkohë, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, për tri ditë me radhë, në orët e mëngjesit priten temperatura nën zero gradë.
“Nga sot deri të mërkurën mëngjeset do të jenë të ftohta me temperatura minus, gjë që do të krijohen kushte që të kemi edhe ngrica. Pastaj të mërkurën parashihet të kemi edhe mjegull kështu që preferohet që ngasësit ose pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesëm gjatë drejtimit të automjetit”, tha për RTK-në, Besim Aliu, meteorolog.
Policia u bën thirrje të gjithë shoferëve të jenë të kujdesshëm, ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të mbajnë distancën e duhur mes automjeteve.