Veliu kritikon Abdixhikun: Nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara
Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka ashpërsuar kritikat ndaj kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Kuvendit të LDK-së për të mos pranuar dorëheqjen e tij.
Në Kuvendin e mbajtur të shtunën, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhikut, ndërsa 136 delegatë ishin pro, duke i mundësuar atij vazhdimin e mandatit në krye të partisë.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin moral të këtij vendimi, duke theksuar se vullneti i anëtarësisë duhet të jetë mbi çdo strukturë partiake.
“Asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës”, ka shkruar Veliu.
Ai ka theksuar se LDK-ja nuk është pronë e individëve apo grupeve të ngushta, por parti që u përket anëtarëve të saj ndër vite.
“LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë”, ka shtuar ai.
Në reagimin e tij, Veliu ka paralajmëruar se shmangia nga parimet themelore të partisë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e saj.
“Historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si të fundit që dalin prej saj. Zoti e ruajt LDK-në!”, ka përfunduar ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka marrë 13.24 për qind të votave, duke shënuar rënie të ndjeshme krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar.