BE: Procesi i dialogut nuk dëmtohet për shkak të Lajçakut
Foto: Laura Hasani

BE: Procesi i dialogut nuk dëmtohet për shkak të Lajçakut

Aktuale February 03, 2026 - 14:17

Përfshirja e Mirosllav Lajçakut në dosjen “Epstein’ nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ka ndërmjetësuar për pesë vjet. Kështu vlerësojnë zyrtarët evropianë, duke insistuar se lidhjet e Lajçakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikëqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare", tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë.

Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri tek ato personale, përfshirë edhe gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epsteini i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.

Në një nga komunikimet, Lajçaku shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Lajçaku fillimisht kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epstein, por më pas u detyrua të dorëhiqej nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi dolën prova konkrete që dëshmonin të kundërtën.

Për më shumë se dy dekada, Mirosllav Lajçak ka qenë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian.

Procesin e dialogut Kosovë–Serbi e ka menaxhuar për pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025. Jo rrallë është përballur me akuza për njëanshmëri në proces. /rtk