Haradinaj në SHBA kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë takimit që ka pasur me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions, ka kërkuar mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Ne jemi të gatshëm të bëhemi anëtar i NATO-s”, ka thënë ai gjatë një vizite në Kongresin amerikan, në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.
“Jemi krenarë për historinë tonë, për atë që kemi kaluar dhe ku jemi sot. Sot besoj se jemi gati që t’u bashkohemi SHBA-së në të gjitha angazhimet e saja globale, përfshirë anëtarësimin në NATO. Ne jemi të vogël, por NATO është aty”, ka thënë Haradinaj në videon e publikuar në Facebook.
Haradinaj po qëndron në SHBA, si i ftuar për “Lutjet e Mëngjesit”.
Sipas paralajmërimit nga AAK-ja, ai do të mbajë fjalim në Capitol Hill.