Hoti: E kemi shumicën në Kuvend, koalicionet në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Andin Hoti, ka deklaruar se LVV-ja ka një mandat të qartë qytetar për ta formuar e vetme qeverinë dhe se, siç thotë ai, diskutimet për koalicione qeverisëse në këtë fazë janë të padrejta dhe në kundërshtim me vullnetin e shprehur në zgjedhje.
Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë te interesat ose dëshirat e partive politike, por te vendimi i qytetarëve.
“Unë besoj se fokusi nuk duhet të jetë se çfarë dëshirojnë partitë politike, por se cili është vendimi i qytetarëve”, ka deklaruar Hoti.
Ai thekson se qytetarët i kanë dhënë një verdikt të qartë Lëvizjes Vetëvendosje, duke ia besuar shumicën absolute për të qeverisur pa koalicion.
“Qytetari ka dhënë një verdikt të qartë, duke i besuar mbi 51% Lëvizjes Vetëvendosje, pa paraparë një koalicion qeverisës”, ka theksuar deputeti i LVV-së.
Hoti vlerëson se çdo hap drejt bisedimeve për koalicione në këtë fazë do të ishte në shpërputhje me rezultatin zgjedhor dhe me pritjet e qytetarëve.
“Çdo diskutim për koalicione në këtë fazë do të ishte i padrejtë ndaj vullnetit të shprehur të qytetarëve”, është shprehur ai.
Sipas tij, marrëveshjet politike janë të domosdoshme vetëm në rastet kur një subjekt nuk arrin të sigurojë shumicën për të qeverisur i vetëm, çka, sipas Hotit, nuk vlen për situatën aktuale.
“Marrëveshjet politike janë të nevojshme vetëm në rastet kur një subjekt politik nuk arrin të sigurojë besimin e mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm. Ky nuk është rasti aktual. Megjithatë, komunikimi politik, përtej marrëveshjeve politike, është gjithmonë i dobishëm”, ka deklaruar Hoti.
Hoti: Posti i presidentit nuk është objekt i pazarit politik
Duke folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe debatet nëse LVV është e gatshme të japë njërën nga tri pozitat kryesore të shtetit për tejkalimin e një bllokade të mundshme politike, Hoti ka theksuar se presidenca nuk duhet të shndërrohet në objekt pazari politik.
“Sa i përket çështjes së presidentit, ajo nuk duhet të trajtohet si objekt marrëveshjesh apo pazari politik. Presidenti është institucion i pavarur, mbi interesat partiake, dhe çdo marrëveshje politike e ndërtuar mbi këtë funksion do ta minonte vetë rolin dhe kredibilitetin e Presidencës”, ka theksuar ai për FrontOnline.
Hoti ka paralajmëruar se çdo tentativë për bllokim institucional përmes kushtëzimeve politike do të ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me interesin publik.
“Nëse cilado parti politike tenton të shantazhojë proceset institucionale përmes posteve, verdikti përfundimtar mbetet gjithmonë te qytetari”, ka thënë ai, duke shtuar se “një qasje e tillë vetëm sa do të tregonte një mendësi të gabuar, sikur vullneti i qytetarëve nuk ka rëndësi dhe se vendimet merren përmes pazareve politike”.
Deputeti i LVV-së: S’do të ketë bllokadë shtetërore, rrezikohet mirëqenia e qytetarëve
Në fund, deputeti i LVV-së është shprehur i bindur se nuk do të ketë bllokada institucionale dhe se partitë politike do të tregojnë përgjegjësi shtetërore.
“Nuk dua të besoj se dikush do të tentonte të bllokojë funksionimin e shtetit dhe të rrezikojë mirëqenien e qytetarëve për interesa të ngushta politike. Të paktën kaq vetëdije institucionale duhet të ekzistojë”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka theksuar se LVV-ja do të angazhohet maksimalisht për funksionalizimin e institucioneve të reja.
“Ne do të jemi maksimalisht të përkushtuar për konsolidimin sa më të shpejtë të institucioneve!”, tha ai.