INPO alarmon për tenderët e Policisë: Kontratat e negociuara trefishojnë koston dhe rrezikojnë transparencën
Instituti për Politika Publike (INPO) ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në procedurën e prokurimit për shërbimet e ushqimit për Policinë e Kosovës, duke ngritur shqetësime serioze për ligjshmërinë, transparencën dhe integritetin e procesit.
Sipas INPO-s, tenderi i hapur për ushqimin e Policisë së Kosovës, me vlerë të parashikuar 2.7 milionë euro për 36 muaj, ishte anuluar në dhjetor 2025 me arsyetimin e mungesës së ofertave të përgjegjshme. Ligjshmëria e këtij anulimi aktualisht është në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), transmeton Zeri.info,
Megjithatë, pavarësisht se çështja është ende proceduralisht e hapur, Policia e Kosovës ka lidhur një kontratë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë 650 mijë euro për vetëm tre muaj, për të njëjtin objekt dhe të njëjtat nevoja.
INPO thekson se kjo procedurë ka pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik. Kontrata e negociuar i kushton Policisë rreth 216 mijë euro në muaj, ndërsa tenderi i hapur i planifikuar për 36 muaj parashihte një kosto mesatare prej rreth 75 mijë euro në muaj. Sipas institutit, kjo do të thotë se procedura e negociuar është gati trefish më e shtrenjtë në baza mujore krahasuar me një procedurë të rregullt konkurruese.
“Ky dallim i madh financiar rrëzon çdo arsyetim për mungesë buxheti dhe dëshmon se procedurat e negociuara, përveç mungesës së transparencës, prodhojnë edhe kosto më të larta për paranë publike”, thuhet në reagimin e INPO-s.
Edhe më problematik konsiderohet fakti se kontrata e negociuar është lidhur me operatorin ekonomik që në procedurën e hapur ishte shpallur i papërgjegjshëm dhe kishte ushtruar ankesë kundër vendimit të Autoritetit Kontraktues. Sipas INPO-s, ky kontrast minon besueshmërinë e vlerësimeve institucionale dhe krijon dyshime serioze për trajtim selektiv dhe favorizim.
Instituti paralajmëron se, për shkak se ankesa në OSHP është ende në shqyrtim, Policia e Kosovës nuk mund të iniciojë një procedurë të re të hapur, ndërsa edhe në kushtet më ideale një tender i rregullt kërkon muaj për t’u përmbyllur. Kjo, sipas INPO-s, krijon rrezik real që kontratat e negociuara të mos mbeten përjashtim i përkohshëm, por të shndërrohen në praktikë të përsëritur.
Në përfundim, INPO vlerëson se ekziston dyshim i arsyeshëm se dështimi i tenderit të rregullt dhe krijimi i urgjencës nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një zinxhiri veprimesh që hap rrugë për kontrata pa konkurrencë reale, me mungesë transparence, kosto më të larta dhe rrezik të shtuar për abuzim me paranë publike.
INPO ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e kësaj procedure dhe se gjetjet do t’i adresojë tek institucionet mbikëqyrëse dhe ato të zbatimit të ligjit, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe integritetit të prokurimit publik. /Zëri