“Tigrat” kroatë, të gatshëm për misionin ushtarak në Kosovë
Anëtarët e Batalionit të 1-rë të Mekanizuar “Tigrat” të Ushtrisë së Kroacisë kanë përfunduar fazën e dytë të trajnimit para nisjes për t’u bashkuar me operacionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë, ku në maj do të marrin detyrat nga pjesëtarët e kontingjentit të 44-të kroat.
Në kuadër të aktiviteteve përgatitore, pjesëtarët e batalionit së fundmi kanë zhvilluar në kazermën “Kolonel Predrag Matanoviq” në Petrinja një nga ciklet kyçe të stërvitjes, që zgjati 72 orë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, raporton Klankosova.tv.
Stërvitja u zhvillua pa ndërprerje, gjatë ditës dhe natës, me synim verifikimin dhe rritjen e gatishmërisë për kryerjen e operacioneve stabilizuese në zonën e misionit.
Komandanti i togës së motorizuar të Batalionit të 1-rë të Mekanizuar “Tigrovi”, kapiten Vlladimir Kordiq, tha: “E kemi konceptuar stërvitjen që të jetë sa më realiste dhe të përgatisë pjesëtarët e njësisë për situatat më kërkuese në terren. Ajo zhvillohet intensivisht, në terren, për 72 orë. Detyrat kryhen pa ndërprerje, me rotacion të njësive, duke simuluar kështu kushtet reale të operimit në një mjedis operativ”.
“Këtë lloj stërvitjeje e zhvillojmë për të siguruar një nivel të lartë të përgatitjes, kryerje të suksesshme të detyrave dhe një përfaqësim të denjë të pjesëtarëve të njësisë, vetë njësisë dhe vendit tonë”, tha Kordiq.
Gjatë stërvitjes u praktikuan detyra që përfshijnë sigurimin e zonës, patrullimet, kontrollin e lëvizjes, veprimin në kontakt me popullatën civile dhe reagimin ndaj incidenteve të ndryshme të sigurisë. Theksi i veçantë iu kushtua komandimit dhe kontrollit, marrjes së vendimeve në rrethana të ndërlikuara e të ndryshueshme, si dhe koordinimit të brendshëm të njësisë.
Ministria kroate e Mbrojtjes tha se përmes këtij cikli përgatitor u konfirmua edhe një herë niveli i lartë i stërvitjes dhe gatishmërisë së Batalionit të 1-rë të Mekanizuar “Tigrat” për të marrë detyrat në një mjedis ndërkombëtar.
Sipas kësaj ministrie, pjesëmarrja në operacionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë përbën vazhdimësi të kontributit të Kroacisë në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar, si dhe një dëshmi të profesionalizmit dhe besueshmërisë së pjesëtarëve të Ushtrisë Kroate.