Osmani: Kosova me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha në Lojërat Olimpike Dimërore
Flamuri i Republikës së Kosovës është valëvitur me krenari në ceremoninë madhështore të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, duke shënuar një tjetër moment historik për sportin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi, ka shprehur mbështetjen dhe krenarinë për përfaqësimin e Kosovës në këtë ngjarje globale, duke theksuar rolin e dy sportistëve kosovarë, skitarëve Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj.
“Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, dy skitarët tanë, përfaqësojnë Kosovën me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha. Kosova është me ju, sot, nesër dhe gjithmonë! Ju priftë fati e u kthefshin faqebardhë!”, ka shkruar Osmani.
Pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në afirmimin ndërkombëtar të sportit kosovar, duke dëshmuar përfaqësim dinjitoz dhe prezencë të vazhdueshme në ngjarjet më të mëdha sportive botërore.