Mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës
Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit, duke i dhuruar kësaj zone një pamje mbresëlënëse.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga mali i Tomorit nën petkun e bardhë të dëborës, si një ftesë për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës për të përjetuar një ditë ndryshe mes peizazheve dimërore.
Në malin e Tomorit, në lartësinë 2417 metra mbi nivelin e detit, ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit bektashian, e cila vizitohet çdo vit nga mijëra besimtarë, por edhe nga turistë të interesuar për aventurë, vëzhgim dhe trashëgimi shpirtërore.
Menaxhimi i kujdesshëm i mjediseve turistike nga Administrata e Parkut Kombëtar të Tomorit, si dhe shoqërimi i vizitorëve me guida turistike të specializuara që njohin shtigjet dhe zonat e sigurta, ka bërë që ky park të vizitohet gjatë gjithë stinëve të vitit.
Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe në verilindje të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Zona ofron mundësi të shumta për aktivitete sportive, si ngjitje alpine në shpatet e mbuluara me borë gjatë dimrit, por edhe aventura rafting në kanionet e Osumit gjatë stinës së verës.
Në rrëzë të Tomorit rrjedh lumi Osum, i cili ka krijuar kanionet e famshme, një nga atraksionet natyrore më të vizituara në vend, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë.
Përveç pasurive natyrore, itinerari turistik i Tomorit përfshin edhe objekte kulti të feve kristiane dhe bektashiane, si dhe monumente të natyrës dhe të kulturës, duke e bërë këtë zonë një destinacion të rëndësishëm për turizmin natyror, kulturor dhe fetar./atsh