“Milan Radoiçiq bëhet miliarder, por e humb pushtetin në veriun e Mitrovicës”

“Milan Radoiçiq bëhet miliarder, por e humb pushtetin në veriun e Mitrovicës”

Aktuale February 09, 2026 - 08:46

Aleanca më e madhe ushtarake NATO-ja sërish ka kërkuar dorëzimin e kryeterroristit, Milan Radojçiq.

Ditë më parë sekretari i NATO-s, Mark Rutte bëri thirrje që Radojçiqi dhe grupi i tij, të dalin para drejtësisë dhe se për këtë, që nga sulmi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Rutte i kërkon presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, përgjegjësi.

Gazetari nga Beogradi, Slobodan Georgiev, thotë për Tëvë1 se Milan Radojçiq po vazhdon ndërtimet e hoteleve përreth Kapaonikut.

Sipas tij, nuk do të ketë dorëzim të tij nga ana e presidentit Vuçiq.

“Kur ka ndodhur kjo, dhe ka ardhur kërcënimi nga SHBA-ja kur Blinkeni ka thirrur Vuçiqin, kanë reaguar sikur e sollën në gjykatë, e dëgjuan, e ai erdhi (Radojçiq) erdhi me krejt ekipin e tij, me automobila e krejt, dhe kaq.

Asgjë nuk ndodh në këtë drejtim, nuk ka asnjë proces ndaj, e Milan Radoiçiq, sa e di unë, viteve të fundit ka përfunduar disa hotele nëpër rajonin e Kopaonikut. Nga këtu duket se nuk ka më pushtet nëpër veriun e Kosovës, dhe është përqendruar në punët në Serbinë qendrore. E kanë firmën e madhe në Novi Pazar, “Novi Pazar Put,” punojnë shumë, dhe ai me Zvonko Veselinoviçin janë bërë miliarderë. Kjo është situata”, thotë ai.

E njohësi i sigurisë, Arben Dashevci vlerëson se këtë vit sulmi në Banjskë do të zgjidhet.

“Ajo përkëdhelja ose politika e butë ndaj Serbisë, po mbaron pra Banjska, dorëzimi i kriminelëve të Banjskës nuk ka ku shkon. Ata do të dorëzohen deshi ose nuk deshti sepse nëse e keni shikuar edhe Bashkimi Evropian nuk e ka atë qasjen karshi Serbisë, pra qasjen e butë ndaj Serbisë, kërkon llogari dhe Banjska ose problemi i Banjskës unë mendoj se këtë vit do të zgjidhet. Presioni vetëm se po rritet çdo ditë e më shumë”, shprehet Dashevci.

Sipas Dashevcit, grupi i Milan Radoiçiq vazhdon të qëndron pranë parlamentit duke ruajtur pushtetin e presidentit serb,Vuçiq.

“Ata qëndrojnë pranë parlamentit të Serbisë, qëndrojnë kundër qytetarëve të Serbisë atje, merren me aktivitete, çfarë është më e keqja, marrin tenderë dhe ka ende përfitime, para të pista që quhet në aspektin e krimit ekonomik. Andaj mendoj se bota këtë po e sheh, sidomos aspekti i sigurisë dhe inteligjencës”, thotë ai.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar, dorëzimin e Milan Radoiçiq te institucionet e Drejtësisë në Kosovë. /teve1