Osmani: Pavarësisht sfidave, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian është e pandalshme.
Në një intervistë për median britanike Monocle, ajo ka folur për integrimin euroatlantik, duke theksuar gjithashtu potencialin zhvillimor dhe perspektivën afatgjatë të vendit.
“Mendoj se është jetike për të gjithë, për shtete të mëdha apo të vogla në mbarë botën, por është veçanërisht jetike për shtete si Kosova, sepse ne nuk kemi gjithmonë mundësinë të takojmë të gjithë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Shumica e angazhimit tonë diplomatik zhvillohet brenda kontinentit evropian. Do të na duhej shumë kohë për të vizituar secilin shtet veç e veç, në çdo kontinent”, tha Osmani.
Sipas saj, Kosova ka kaluar një luftë gjenocidale. E para e vendit ka folur edhe për marrëdhëniet me SHBA-në.
“Marrëdhënia që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-të udhëhoqën botën për të na shpëtuar jetët dhe për të na dhënë mundësinë të jetojmë të lirë, të pavarur dhe të gëzojmë demokracinë që kemi sot. Nga ana tjetër, Kosova është shndërruar në një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane në historinë moderne, jo vetëm të SHBA-ve, por edhe të NATO-s në përgjithësi, sepse edhe shtete të tjera kontribuuan, si Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të Bashkimit Evropian”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri me dije se në këtë moment, po punojnë ngushtë me administratën Trump për të parë se si mund ta zgjerojmë këtë marrëdhënie përtej diplomacisë dhe angazhimeve tradicionale politike.
“Aktualisht po fokusohemi kryesisht në dy sektorë: Mbrojtja, kemi mbështetje të madhe nga SHBA-të në fushën e mbrojtjes. Ne jetojmë në një kontinent shumë të brishtë, e rajoni ynë është edhe më i ndjeshëm nga aspekti i sigurisë. Prandaj është thelbësore që të kemi kapacitetet e nevojshme mbrojtëse. Ekonomia, po punojmë shumë me SHBA-të për ta zgjeruar bashkëpunimin ekonomik. Në të kaluarën, ky bashkëpunim ishte kryesisht ndihmë. Sot ekziston një potencial i madh investimi. Kosova, ndonëse shihet si vend i vogël, përmes marrëveshjeve të tregtisë së lirë ka qasje të lirë në qindra miliona evropianë. Pra, kur investoni në Kosovë, ju investoni në tregun evropian, me kosto më të ulëta të punës, çmime më të favorshme, sistem ligjor dhe financiar shumë të mirë dhe si shteti më pro-amerikan në botë. Mendoj se i plotësojmë të gjitha kushtet për të qenë një destinacion i dëshirueshëm për bizneset amerikane”, tha ajo.
Duke shtuar se marrëdhënia po zgjerohet.
“Orientimi ynë mbetet i qartë drejt aleancës euro-atlantike. Nuk ka pasur kurrë zonë gri për ne. Jemi 100% të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë, sepse besojmë se në momente të vështira, ajo që përfaqëson dhe pozicioni që mban janë vendimtare”, tha ajo.
Sipas saj, demokracia evropiane nuk është e përsosur, por është sistemi më i mirë që njohim dhe që funksionon.
“Është sistem që ka shpëtuar jetë. Ne besojmë ende se demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë rruga e duhur. Po, BE-ja kritikohet për ngadalësi dhe rregullim të tepërt, dhe ne e ndajmë këtë kritikë. Por kjo nuk na largon nga kjo rrugë. Ne nuk kemi flirtuar kurrë me fuqi të tjera”, theksoi Osmani, transmeton rtklive.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur edhe për diskriminin që ka pasur Kosova për liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kushteve.
“Jemi i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati, ne vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrugë. Edhe pse raportet e BE-së na rendisin si reformuesin kryesor në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, demokraci dhe zhvillim ekonomik, përparimi nga ana e tyre mungon. Por durimi ynë nuk do të shterojë, sepse kjo është më e rëndësishme. Qëndrimi në vlerat euro-atlantike është pjesë e identitetit tonë historik. Ne do të qëndrojmë në këtë rrugë. Nuk do të flirtojmë me fuqi të tjera dhe shpresojmë të frymëzojmë edhe të tjerët”, tha Osmani.