Pace: Të ndaluarit u keqtrajtuan në mënyrë çnjerëzore, Selimi e rrahu njërin me tubë plastike
Prokurori James Pace gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë tha se të ndaluarit nëpër qendrat e ndalimit në Kosovë dhe veri të Shqipërisë iu janë nënshtruar veprimeve dhe keqtrajtimeve çnjerëzore.
Përveç kësaj, Pace tha se në kryerjen e një rrahje ishte edhe Rexhep Selimi e që sipas tij, aktin e kishte kryer me tubë plastike.
“Ata (vartësit) i kanë ndjekur të gjitha këto udhëzime. I kanë goditur me grushta dhe me shqelma të parandaluarit në të gjithë trupin, i kanë goditur me shishe, me shkopa bejsbolli, me shkopa druri, me pushkë dhe me shufra hekuri. I kanë therur me thika, kanë shkelur mbi to dhe kanë përdorur rrymën elektrike. Në Kleçkë, Rexhep Selimi ka rrahur një të paraburgosur me tubë plastike. Në Dobratinë, anëtarët e Policisë Ushtarake kanë përdorur po ashtu tuba plastikë për të gjuajtur apo për të rrahur të parandaluarit”, tha Pace.
Ai tha se si rezultat i rrahjeve brutale shpesh të ndaluarit i kanë humbur ndjenjat nëpër qendra ndalimi.
“Shpeshtësia e rrahjeve në Kukës nënkuptonte që të paraburgosurit kanë jetuar me frikën e përjetshme të dhunës dhe vrasjes. Në Llapashticë, një i ndaluar ka thënë se i ka kërkuar personave të cilët e mbanin të ndaluar që ta gjuanin me plumb në kokë dhe të mos e abuzonin”, tha Pace.
Pace tha se në disa qendra ndalimi, viktimave iu janë thyer dhëmbët dhe brinjët.
Ai përmendi në një rast kur me pinca pretendohet se iu janë hequr thonjtë. Përveç kësaj, ai tha se të paraburgosurve përveç keqtrajtimit iu janë marrë edhe pasuri e po ashtu janë detyruar që të pastrojnë tualete, vende të mbuluara me gjake apo edhe të varrosin trupa të bashkë të ndaluarve.
“Në Kukës kanë shkarkuar kamionë me pajisje për UÇK-në apo kanë pastruar dhoma a po tualete. Në Budakovë janë detyruar që të hapin istikame. Në Likoc janë detyruar që të pastrojnë edhe vendet e mbuluara në gjak. Në Llapushnik janë detyruar që të varrosin trupat e shkatërruar të bashkë të ndaluarave. Në Llapashticë janë detyruar që të shkojnë në një pyll ku iu është dhënë lopata që të hapin varrin e tyre”, tha Pace.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi