Haradinaj dhe Osmani takohen, diskutojnë për Bordin e Paqes
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka njoftuar se me ftesë të Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një diskutim lidhur me Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet politike në vend dhe në rajon.
Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë takimit i ka shprehur Presidentes Osmani vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump.
“Presidentes Osmani i shpreha vlerësimin për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Donald J. Trump,” ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka partneriteti me Shtetet e Bashkuara për Kosovën, duke nënvizuar se çdo bashkëpunim në iniciativa të përbashkëta është jetik për vendin.
“Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën,” ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështet pa hezitim këtë angazhim institucional.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrah pa asnjë hezitim këtë angazhim,” ka shtuar Haradinaj.