Sot protestë dyorëshe në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë
Foto: Zëri

Sot protestë dyorëshe në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë

Aktuale February 10, 2026 - 07:50

Sot në SHFMU “Pavarësia” do të organizohet protestë, duke sjellë ndërprerje të përkohshme të procesit mësimor në dy orët e para të ditës.

Sipas një deklarate të përbashkët për media nga Shoqata Sindikale e Shkollës, Këshilli Drejtues dhe Këshilli i Prindërve, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë nga ora 08:00, por mësimi nuk do të zhvillohet gjatë dy orëve të para, për shkak të mbajtjes së protestës, transmeton Zeri.info.

Procesi mësimor do të rifillojë normalisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt, ndërsa ndërrimi i pasdites do të zhvillojë mësimin pa ndërprerje.

Organizatorët bëjnë të ditur se protesta është reagim ndaj veprimeve delikuente të disa nxënësve në procesin edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve.

Sipas deklaratës, këto veprime po cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve, si dhe po dëmtojnë seriozisht mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla”, thuhet në reagim, ku theksohet se protesta synon ngritjen e zërit kundër këtij fenomeni dhe kërkesën për angazhim serioz institucional dhe shoqëror për parandalimin dhe trajtimin e tij me përgjegjësi.

Ndryshe gjatë së hënës në media është publikuar një video ku brenda ambientit të shkollës ka ndodhur një incident mes një mësimdhënësi dhe një nxënësi, ndërsa për Zërin, psikologu i shkollës Nazim Mahmuti, ka treguar versionin e tij se si ka ndodhur ngjarja në tërësi.

Ai ka thënë se kanë qenë gjithsej 10 nxënës të cilët e kanë sulmuar mësimdhënësin dhe se sipas tij, nxënësit e kanë zgjedhur pikërisht sallën e arsimtarëve, pasi që kjo sallë nuk ka kamera sigurie dhe se ata e kanë incizuar me telefon vetëm momentin e fundit kur arsimtari e godet nxënësin, raporton Zeri.info.

Sipas Mahmutit, nxënësit me inicialet A.O., mësimdhënësi nuk i jep mësim, e madje sipas tij, ky nxënës është nxënës ndaj të cilit janë marrë shumë masa disiplinore.