Jashari: Kërkesa për 45 vjet burgim ndaj ish-komandantëve të UÇK-së synon ndërtimin e një narrative të caktuar
Avokati Arbër Jashari ka folur ndaj kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke vlerësuar se kjo qasje nuk lidhet me kërkimin e drejtësisë.
Ai tha se kërkesa e Prokurorisë tregon një qëllim tjetër, përveç ndëshkimit penal.
“Kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-komandantët e UÇK-së tregon se kjo prokurori nuk është e interesuar për drejtësi, por për ndërtimin e një narrative të caktuar’’, tha ai për frontonline.
Jashari ngriti edhe çështjen e mungesës së vlerësimit individual për të pandehurit, duke theksuar se secili rast duhet trajtuar veçmas sipas rolit dhe rrethanave personale.
“Para se të propozojë dënime të tilla, Prokuroria do të duhej të analizonte në mënyrë të veçantë rolin dhe funksionin e secilit të pandehur në kohën kur pretendohet se janë kryer krimet, kontributin individual të tyre në kryerjen e veprave të dyshuara, si dhe rrethanat personale përkatëse. Një vlerësim i tillë individual mungon. Kjo tregon se qëllimi nuk ka qenë zbardhja e së vërtetës, por ndërtimi i një kauze që e paraqet UÇK-në si një organizatë kriminale dhe të akuzuarit si udhëheqës absolutë të saj”, potencoi Jashari.
Ai gjithashtu argumentoi se kërkesa bie ndesh me standardet juridike të praktikës ndërkombëtare dhe me ligjin në fuqi në kohën kur pretendohet se janë kryer veprat.
“Kjo kërkesë është jashtë standardeve që aplikohen nga gjykatat dhe tribunalet ndërkombëtare në raste të tilla. Është e njohur se në kohën kur pretendohet se kanë ndodhur krimet, ligji në fuqi ka qenë Ligji Penal i RSFJ-së, i cili për veprat penale të krimeve të luftës parashihte si dënim maksimal burgimin deri në 15 vjet”, përfundoi Jashari.