Lirohet Haxhi Shala
Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, është liruar nga Haga. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.
“Mirë se erdhe në atdhe, babë!”, ka shkruar djali i tij.
Kujtojmë që 4 shkurt 2025 në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë patën marrë vendim që Haxhi Shala të dënohet me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet, duke u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.
Vlen të theksohet se Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahet nga Bahtijari dhe Januzi, në mënyrë që të ketë një gjykim më të përshpejtuar, por kjo kërkesë ishte refuzuar.
Çështja ndaj këtyre tre të akuzuarve i kaloi trupit gjykues më 4 shtator, ku më pas, në seancat përgatitore, u vendos që gjykimi të fillojë me 14 nëntor 2024. Por, me kërkesën e palëve për t’i finalizuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykimi u shty.
Më 13 nëntor, ZPS-ja informoi trupin gjykues që kanë arritur marrëveshjen e pranimit të fajësisë me tre të akuzuarit dhe, më 6 dhjetor, ZPS-ja kishte dorëzuar versionin e rishikuar të aktakuzës, ashtu siç kishte urdhëruar trupi gjykues, duke përfshirë edhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Në aspektin procedural, marrëveshjet e arritura mes Shalës dhe Januzit ishin pranuar, kurse ajo e Bahtijarit u cilësua se kishte mangësi procedurale.
Megjithatë, më 16 dhjetor, palët kishin informuar trupin gjykues se kishin arritur një marrëveshje të re të fajësisë me Bahtijarin dhe ia dorëzuan atë trupit gjykues. Lidhur me këtë, palët kishin dorëzuar më 17 dhjetor 2024 aktakuzën e rishikuar, e cila në bazë ishte ajo e 10 korrikut 2024, por përfshinte edhe ndryshimet e bëra të asaj të 17 dhjetorit lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë.
Si rrjedhojë, në seancën e 18 dhjetorit, Shala dhe Januzi u deklaruan fajtorë për krimet që kanë kryer si dhe u pranua proceduralisht marrëveshja e arritur mes ZPS-së dhe Bahtijarit. Ndërsa, më 19 dhjetor Bahtijari u shpreh i penduar dhe fajtor.