AUV-i ndalon importin e kafshëve nga rajoni Maramuresh i Rumanisë
Foto: Laura Hasani

AUV-i ndalon importin e kafshëve nga rajoni Maramuresh i Rumanisë

Aktuale February 10, 2026 - 14:34

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke u bazuar në raportet zyrtare të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 09.02.2026, njofton se në një fermë familjare në rajonin Maramuresh, në Republikën e Rumanisë, është konfirmuar prania e sëmundjes së tërbimit (rabies) te kafshët shtëpiake.

Si masë parandaluese, AUV-i ndalon menjëherë importin e kafshëve të gjalla, duke përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, që vijnë nga zona e infektuar në Rumani.

“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV-i ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftim.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri.

“AUV-i mbetet i përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, thuhet tutje në njoftim.