Një vit pa gazetarin Faton Osmani, sot mbahet akademi përkujtimore
Në njëvjetorin e vdekjes së gazetarit të shquar dhe themeluesit të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, Faton Osmani, do të mbahet akademi përkujtimore, e organizuar nga mediumi dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Akademia do të mbahet sot në orën 11:00, në kino “ABC” në Prishtinë, ku fjalë rasti do të kenë kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, familjarë, shokë e bashkëpunëtorë të të ndjerit Osmani.
Faton Osmani u nda nga jeta në moshën 49-vjeçare, më 11 shkurt 2025.
La pas gruan, vajzën dhe djalin, që të tre pjesë edhe tani të agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, qoftë në drejtimin e saj, qoftë në punën e përditshme, drejt zhvillimit të saj të mëtejshëm.
Faton Osmani ishte themelues, pronar dhe drejtor ekzekutiv i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, por mbi të gjitha ishte gazetar.
Profesionist i vërtetë me vlerat më të larta. Bëri emër të nderuar në qarqe mediatike dhe gëzonte respekt nga publiku i gjerë. Qysh në fillimet e tij në fushën e gazetarisë, me talent të pamohueshëm dhe me përkushtim maksimal, shpejt e fitoi besimin dhe ia doli mbanë të bëhej reporter i klasit të parë, duke mbuluar ngjarjet kryesore dhe zhvillimet më me peshë, në radhë të parë politike.
Vetëm pas ndonjë viti krejt natyrshëm dhe me plot meritë u avancua në redaktor. Ishte redaktor i agjencisë së lajmeve “Kosovalive”, redaktor i gazetës “Lajm”, redaktor i gazetës “Express”, redaktor i gazetës “Jeta në Kosovë”, ndërsa një kohë punoi edhe në televizion, në KTV.
Bashkëpunoi me një varg mediash të tjera, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare. Ishte korrespondent në Kosovë i njërës nga agjencitë më të mëdha të lajmeve në Gjermani, Deutsche Presse-Agentur (DPA). Po ashtu një kohë ishte korrespondent në Kosovë i gazetës “Shekulli” në Tiranë.
Në vitin 2010 Faton Osmani themeloi agjencinë e lajmeve “Ekonomia Online”. Ai dëshmoi aftësi udhëheqjeje, me sens për krijimin e një fryme pozitive dhe të shëndoshë për punë. Shquhej në vazhdimësi për dinjitet të lartë profesional, duke pasur të rrënjosur bindjen se në gazetari gjithçka evoluon, porse saktësia dhe paanshmëria mbeten parime të pandryshueshme.
Është vlerësim i përgjithshëm se arriti që agjencia e lajmeve “Ekonomia Online” të jetë një medium serioz i standardeve të larta profesionale, burim i sigurt informacioni dhe partner i besueshëm i dhjetëra mediumeve në Kosovë dhe jashtë saj.
