Osmani uron Haxhiun
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe nënkryetarët e Kuvendit për përgjegjësinë institucionale që u është besuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve.
Në mesazhin e saj, Osmani ka theksuar rolin themelor të Kuvendit si shtylla e demokracisë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve, transmeton Zeri.info.
“Kuvendi i Republikës është themeli i demokracisë sonë parlamentare dhe institucioni ku materializohet vullneti i qytetarëve,” ka deklaruar presidentja, duke shprehur besimin se udhëheqja e re do ta ushtrojë mandatin me përgjegjësi demokratike, në respektim të Kushtetutës dhe në përkushtim ndaj interesit të Republikës së Kosovës.
Osmani ka ritheksuar gjithashtu nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional konstruktiv dhe funksionim të plotë të Kuvendit, në shërbim të forcimit të shtetit të së drejtës, stabilitetit demokratik, mbrojtjes së vlerave shtetërore dhe historike, si dhe avancimit të agjendës euroatlantike të vendit.
Në fund, presidentja ka uruar që mandati i ri të karakterizohet nga vendime të rëndësishme shtetërore, kulturë e lartë demokratike dhe angazhim i palëkundur në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. /Zëri